Një letër e hapur e Dhimitri Jorgos dhe turpet e atletikës

0

 

 Gazeta “Sport Ekspres” bën publike letrën e hapur të kampionit dhe rekordmenit të hedhjes së diskut, ndërsa klubi shumësportësh nuk i jep të drejtë të garojë duke mbështetur vendimin e Federatës

 

Leonard Trebicka

 

Somario 1: “I jam drejtuar me një mikun tim Federatës Botërore të Atletikës, e cila më ka kthyer përgjigje pozitive që ka ardhur me e-mail. Por në Shqipëri nuk po pyesin më as për botën, as për vendimet e saj e më pas bëjnë sipas qejfit dhe dëshirës së tyre”

 

Somario 2: “Këshilli i trajnerëve të Skënderbeut mori një vendim që prej shtatorit të këtij viti dhe në vazhdim të paguhesha me një trajtim prej 140 mijë lekësh të vjetra. Por shefja e klubit Skënderbeu e ka kthyer në konflikt personal se atë që ajo se ka arritur ajo në moshën 40 vjeçare, ndërsa unë po e arrij tani që jam 52-vjeç”.

 

Somario 3: Po i drejtohem me anë të kësaj letreje edhe drejtuesve të Bashkisë së Korçës ta marrin seriozisht këtë problem dhe në fund këshillit bashkiak, ose organet kompetente, të marrin sa më parë vendimin e duhur.

 

Një vendim i fundit i Federatës Shqiptare të Atletikës, më konkretisht i Asamblesë së saj vjetore, ka privuar sportistët e moshës mbi 35 vjeç që të garojnë. Më konkretisht i kanë larguar nga sporti që bëjnë prej shumë vitesh. Një vendim absurd, por që dje gazeta “Sport Ekspres” ka arritur ta zbulojë vetëm nëpërmjet një letreje të hapur që kampioni absolut i hedhjes së diskut e mbi të gjitha rekordmen i saj, Dhimitri Jorgos, ua ka drejtuar medieve shqiptare. Ai me lot në sy tregon se të tjerët kanë vendosur që ai të largohet nga sporti. Por ai nuk beson se do ta bëjë një gjë të tillë, sepse ka forca nga Zoti që të vazhdojë deri sa të jetë kampion Shqipërie, ashtu siç edhe është në fak. Pak muaj më parë ka qenë po gazeta “Sport Ekspres” që bëri të ditur një problem të këtij kampioni, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me klubin shumësportësh “Skënderbeu” kanë kaluar caqet. Pasi, sipas Cepës, ka qenë ky klub që ka ndikuar në këtë vendim absurd që është marrë nga ana e Federatës Shqiptare të Atletikës nëpërmjet asamblesë së saj. Gazeta e zbulon këtë fakt, ndërkohë që ankesa e Jorgos është aq e madhe sa shkon edhe në formë thirrje për kryeministrin e vendit, Edi Rama, që ta ndihmojë, pasi edhe ai ka qenë sportist vetë. Madje Dhimitri Jorgos nuk kërkon asnjë lloj shpërblimi të majme financiar për të vazhduar këtë sport dhe kjo të bën të ndihesh edhe më keq. Por cila është letra e hapur e korçarit Dhimitër Jorgos…?!

Letra – “Me anë të kësaj letre të hapur po i drejtohem së pari federatave të nderuara të sportit (peshëngritje, mundje dhe boksit) të cilat janë sporte individuale dhe me peshë në sportin shqiptar. Të më falni që po ju drejtohem vetëm ju, por dua të marr një këshillë nga këto Federata. E shikoni të arsyeshme që një sportist si puna ime në flakjen e diskut, i cili është kampion kombëtar dhe i kap të gjitha normat e profesionistit, të hidhet në rrugë? A do ta bënit ju si Federata për një sportist tuajin që do të ishte kampion absolut një gjë të tillë?”. Kështu e ka nisur letrën e hapur Dhimitri Jorgos, atleti legjendë i hedhjes së diskut dhe që sot është 52-vjeç, por që e kanë baltosur duke e hedhur në rrugë dhe duke i thënë ditët e fundit “që nuk ke të drejtë të marrësh pjesë më në sport, pasi je në moshë të madhe”. Ky ka qenë turpi i radhës i sportit shqiptar dhe jo më atij korçar, ndërkohë që Dhimitri Jorgos në letrën e tituj të hapur, rënqethëse, bën të ditur: “I jam drejtuar me një mikun tim Federatës Botërore të Atletikës, e cila më kthyer përgjigje pozitive që ka ardhur me e-mail. Por në Shqipëri nuk po pyesin më as për botën, as për vendimet e saj e më pas bëjnë sipas qejfit dhe dëshirës së tyre. Historia e kësaj letre ka filluar në atë moment kur përpara disa javësh, me një kërkesë të klubit shkodran Vllaznia në mbledhjen e asamblesë, është vendosur dhe është votuar që sportistë mbi moshën 35-vjeç të mos marrin pjesë në garat e atletikës. Për momentin ndodhen tre sportistë në Shqipëri me këtë moshë dhe më konkretisht një sportiste e flakjes së çekiçit, një sportist i vrapimeve të gjata, të dy sportistë të nderuar të Tiranës, si dhe unë. Dua të më falin që po i përmend edhe ata dhe që po flas në emrin e tyre, por besoj se edhe ata të njëjtin problem kanë si unë. Nuk e di se kujt t’i drejtohem në bazë ligjore, por mendoj se i drejtohem zv/ministrit, Rauf Dimraj, dhe në mënyrë të veçantë KOKSH-it për ta shqyrtuar dhe për ta parë sa më parë këtë problem, brenda rregullave dhe brenda kompetencave që ata disponojnë. Nuk e di në çfarë vendi të botës ndodh që një sportist kampion të largohet dhe për çfarë arsye, për moshën…!. Për mua është një turp, por edhe për të gjithë ata që e lexojnë këtë letër të hapur. Të gjithë janë në dijeni se shumica e sportistëve hedhës në botë, edhe në momentin që po flasim, janë mbi 40 vjeç. Ndërkohë që në Shqipëri po të jesh në moshë të madhe të përjashtojnë. Megjithatë unë nuk kërkoj asnjë anë financiare nga çdo klub që mund të marr pjesë, dua thjesht pasionin dhe vullneti që më ka dhënë zoti ta shfrytëzoj deri në momentin e fundit, pavarësisht se unë përfaqësoj ekipin korçar dhe duhet të paguhem nga Bashkia Korçë me një trajtim ushqimor që edhe këtë drejtuesja e klubit shumësportësh, Tatjana Marash, nuk ma jep. Këshilli i trajnerëve të Skënderbeut mori një vendim që prej shtatorit të këtij viti dhe në vazhdim të paguhesha me një trajtim prej 140 mijë lekësh të vjetra. Por shefja e klubit Skënderbeu e ka kthyer në konflikt personal se atë që ajo se ka arritur ajo në moshën 40 vjeçare, ndërsa unë po e arrij tani që jam 52-vjeç. Prandaj edhe në qoftë se ndonjë dashamirës, deputet ose ministër e lexon këtë, ju lutem të bëjnë më të mirën si për sportin korçar, ashtu dhe për atë shqiptar. Disa miqtë e mi të nderuar më adresojnë te zoti kryeministër, Edi Rama, por unë ju kthej përgjigje se ai nuk merret me drejtues të këtij niveli të ulët dhe mund ta ketë për ofendim për ta zgjidhur këtë problem me këtë klub korçar, që është katandisur si mos më keq. Përfundimisht nuk e shikoj të arsyeshme që të merret zoti kryeministër me një drejtuese të klubit Skënderbeu, një femër që ka shkatërruar përfundimisht të gjitha sportet korçare, e cila drejton sportin prej më shumë se 8 vitesh. I jam drejtuar drejtuesve më të lartë të Bashkisë dhe besoj se ata nuk janë të implikuar në aferat korruptive të kësaj drejtuese. Megjithatë nuk është në dorën time dhe nuk e kam tagrin që unë të flas, por i drejtohem në mënyrë njerëzore edhe auditit në Tiranë. Ndoshta unë jam në fund të karrierës, por që një person, apo një sportist si unë, duhet t’ua bëjë të ditur të gjitha medieve se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në sportin korçar. Besoj se duhet një lloj rotacioni në klubin shumësportësh Skënderbeu, ku shumë emra dhe sportistë të nderuar mendoj se duhet t’u jepet shansi të paktën të kontribuojnë për herë të parë dhe unë kam besim të plotë se shumë sportistë, ashtu edhe trajnerë basketbolli, apo volejbolli të këtij klubi janë të aftë të bëjnë më të mirën dhe më konkretisht atë që nuk po e bën drejtuesja e klubit juglindor. Po i drejtohem me anë të kësaj letreje edhe drejtuesve të Bashkisë së Korçës ta marrin seriozisht këtë problem dhe në fund këshillit bashkiak, ose organet kompetente, të marrin sa më parë vendimin e duhur. Po e mbyll këtë letër të hapur duke shpresuar që ky problem të zgjidhet sa më parë dhe brenda të gjitha rregullave ligjore që kanë po të gjitha Federatat e sportit shqiptar”, ka përfunduar Cepa, ndërsa kjo ka qenë edhe letra e hapur dhënë dje gazetës “Sport Ekspres”, më shumë se rrëqethëse, pasi në Shqipëri nëse je i madh në moshë dhe je kampion, të zbojnë, sepse në fund të fundit drejtuesit e sportit kanë më shumë pushtet dhe bëjnë ç’të duan me këta sportistë që janë emblemat e sportit shqiptar.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.