Një letër “anonime” që rrezikon përjashtimin e Kosovës, siç ndodhi me Kamerunin dhe Nigerinë

Një lojë e madhe ka nisur për karrigen e presidentit të FFK-së, që aktualisht mbahet nga Agim Ademi. Ishte pikërisht një letër “anonime”, në fund të së cilës nuk kishte asnjë emër apo firmë, ndërsa tregohej vetëm se ishte në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ajo që solli edhe gjithë këtë situatë. Në të shkruhej se duheshin përsëritur zgjedhjet për shkak të parregullsive të konstatuara dhe kaq mjaftonte që Arianit Ahmeti të kërkonte postin e kreut të FFK-së.

Ky i fundit u shkarkua nga posti i zëvendës sekretarit të FFK-së, por sipas gazetës “Olle” një letër e tillë nga një prej ministrive të Kosovës mund të çojë deri në marrjen e masave ekstreme nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s për dardanët. Kështu, qeveria botërore e futbollit nuk toleron aspak ndërhyrjet shtetërore e qeveritare në punët e brendshme të një federate anëtare të saj. Një precedent i tillë ka ndodhur më parë me dy shtete afrikane, Kameruni dhe Nigeria, të cilat morën përjashtim nga të gjitha aktivitetet futbollistike për të vetmen arsye, që ishte ndërhyrja e qeverisë në punët e brendshme të federatës./Sport Ekspres/