Një klub irlandez bën kërdinë në baste, UEFA nis sulmin

0

Federata Irlandeze e Futbollit ka nisur një hetim në lidhje me sjelljen e klubit Athlon Taun AFC, pas akuzës për trukim ngritur nga UEFA në lidhje me ndeshjen e fundit të kampionatit, humbur 3-1 në Longford.

Raporti i Sportradar për llogari të UEFA-s ka evidentuar një ecuri anormale të kuotave të basteve, shoqëruar me shuma të mëdha të luajtura për një takim anonim në divizionin e dytë irlandez.

Longfordi fitoi 3-1 në derbi, duke e shënuar golin e tretë në shtesë, ndërkohë që në 10 minutat e fundit të ndeshjes vërshuan mijëra euro se do të shënohej edhe një gol, aq sa edhe në minutën e 92-të kuotat ishin të barabarta pothuajse, me bastin për një gol tjetër që nuk e kaloi kuotën 2.2, edhe kur duheshin 2 minuta nga fishkëllima finale e arbitrit.

Historia e Athlones është mjaft e ndërlikuar, sepse në verë disa sponsorë portugezë u afruan në skuadër dhe gjithashtu sollën disa lojtarë nga Portugalia.

Një prej tyre ishte portieri Igor Labuts, 26 vjeç, nga Letonia, i cili sezonin e shkuar luante pikërisht në divizionin e dytë portugez (shihni golin e dytë pësuar të dielën). Gjithashtu, në forumet e Athlones tifozët akuzojnë edhe qendërmbrojtësin rumun Sfrijan, ndërkohë që në skuadër është edhe një tjetër lojtar letonez!

Skema duket e qartë: ashtu si në rastin e Eldenses në divizionin e tretë spanjoll, që trukonte ndeshje sipas urdhrave të financuesve italianë, edhe Athlon Taun ka zbuluar “minierën” e arit në botën e basteve.

Aktualisht pa trajner, pas largimit të Rikardo Monstantos pas vetëm 42 ditësh në drejtim, Athlon Taun ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni dhe se do të bashkëpunojë për dënimin e futbollistëve të përfshirë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here