Një kampion bote për Kamzën, gati firma me ish-mbrojtësin e Italisë

Skuadra nga periferia e kryeqytetit pritet që të ulet në bisedime me kampionin e Botës të vitit 1982, Pjetro Vierkovud

Kamza arriti që të siguronte në javën e fundit qëndrimin mes më të mirave. Në një sezon të gjatë, të mundimshëm dhe mjaft të vështirë në fund arrihet objektivi minimal. Sezonin e ardhshëm ekipi nga periferia e kryeqytetit shpreson që të mos përsërisë gabimet e këtij sezoni. Plani për edicionin e ardhshëm sapo ka nisur dhe skuadra do të rindërtohet, por nuk mund të thuhet se do të ndodhë revolucion. Gjithçka pritet që të vendoset në ditët e ardhme, kur të jetë caktuar dhe trajneri i ri i skuadrës. Julain Ahmataj e ndërpreu bashkëpunimin me Kamzën edhe pse e arriti objektivin.

Ka qenë vetë klubi i Kamzës, që përmes një postimi në “Facebook” ditën e largimit të Ahmatajt, që bëri me dije se timonieri i ri i skuadrës do të jetë i huaj. Kështu prite të ndodhë, pasi “Sport Ekspres” mëson se sot në mesditë pitet që në Tiranë të mbërrijë një prej kandidatëve më potencial për të marrë drejtimin e kamzalinjve.

VIERKOVUD
Nuk bën shaka Kamza, e cila po tenton të afrojë në gjirin e saj një ish-futbollist me emër të madh në arenën ndërkombëtare, madje që është shpallur dhe kampion bote. Gazeta mëson se është italiani Pjetro Vierkovud trajneri i cili mund tw marrw drejtimin e Kamzws. 59-vjeçari ka një karrierë të artë si futbollist, pasi ka qenë pjesë e Kombëtares së Italisë në vitin 1982, kur “axurrët” rrëmbyen dhe trofeun më të madh futbollistik, Kupën e Botës që atë vit u luajt në Spanjë.

Mbrojtësi ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të Sampdorias në vitet 1983-1995, kur ishte koha e Artë e Vialit dhe Mançinit. Gjatë kësaj periudhe Vierkovud ka realizuar edhe 25 gola. Një “yll” sa i përket karrierës si futbollist, por jo shumë i shndritshëm në rolin e trajnerit. Edhe pse e ka provuar në të shkuarën të jetë timonier i disa skuadrave si Catania, Florentia Viola, Trestina, nuk ka mundur që të ketë sukses. Skuadra e fundit që ka drejtuar ka qenë ajo e Honved, e cila luan në elitën e futbollit hungarez.

Gazeta mëson se italiani me origjinë ukrainase do të jetë sot në Tiranë për të diskutuar detajet e fundit me drejtuesit e Kamzës, të cilët duket se janë të interesuar të provojnë një eksperiencë të huaj tani me një emër të madh të futbollit botëror. Edhe pse nuk ka ende një marrëveshje, gjërat janë në rrugën e mbarë dhe “Cari” do të kërkojë që të bëjë mirë si trajner te Kamza, e cila po ashtu kërkon sukses në krahun tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *