Një jetë në Itali, Ujkani e braktis për Turqinë

Samir Ujkani pritet të lërë Italinë për t’u zhvendosur në Turqi, aty ku Rizespori e kërkon me ngulm. Portieri 29-vjeçar luan prej 11 vitesh në Itali dhe në edicionin e fundit ka luajtur me skuadrën e Kremonezes në Seria B, ku ka qenë një titullar i padiskutueshëm, duke u aktivizuar në 38 ndeshje në total.

Rizespori arriti që të shpallej kampion në ligën e dytë të Turqisë dhe edicionin e ardhshëm do të luajë në elitën e futbollit turk. Ndërtimi për skuadrën që do të tentojë minimalisht mbijetesën ka nisur dhe puna ka filluar që nga porta, ku në horizont është emri i një futbollisti shqiptar. Nuk është emri i parë shqiptar, sepse Rizespori po bisedon edhe me Levanten për të marrë Armando Sadikun.

Një aventurë e re në Turqi i është dukur tunduese Ujkanit, që pritet shumë shpejt të vërë pikat mbi “i”, për të konkretizuar më pas transferimin te Rizespori.

Portieri ka një eksperiencë të gjatë, pasi është aktivizuar dhe në Serinë A, por njëkohësisht është dhe kapiteni i Kosovës, ndaj tekniku turk Yzylmez beson te aftësitë e Ujkanit dhe kërkon ta ketë nën urdhrat e tij, së paku për edicionin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *