Një “ish” kërkon t’i “bëjë gropën” Tiranës

0

 

Mesfushori Jetmir Sefa premton gol dhe fitore ndaj ish-skuadrës së tij, prej nga ku u largua në ditët e fundit të merkatos verore ëpr të vazhduar karrierën në Shkodër

 

Gaspër MARKU

 

Përgatitjet e kuqebluve për sfidën e shumë pritur mes Vllaznisë dhe Tiranës që do të luhet mesditën e së dielës në stadiumin “Ismail Xhemali” po shkojnë drejt mbylljes së ciklit javor. Sot do të jetë dita e fundit e procesit stërvitor, ku stafi teknik me në krye trajnerin Armir Grima pritet të vendosë përfundimisht në lidhje me emrat që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Përgjithësisht ka qenë një javë e qetë në të gjithë aspektet, ku ajo më kryesorja ka qenë normaliteti që ka përfshirë skuadrën pas fitores trepikëshe të marrë ndaj Tërbunit të Pukës, por në të njëjtën kohë për t’u theksuar është edhe një tip klime e ngrohtë që ka mbizotëruar në raport me tifozerinë, e cila tashmë është bërë njësh me skuadrën. Po kështu në favor të kësaj klime të ngrohtë kanë ndikuar patjetër edhe lajmet pozitive të mbërritura nga institucioni i bashkisë ku pikërisht sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak pritet të miratohet shuma financiare në favor të klubit Vllaznia, çka do t’i mundësojë atyre marrjen e rrogave të prapambetura.

Emocionet e Sefës – Për mesfushorin Jetmir Sefa, i cili në këtë sezon futbollistik ka preferuar të veshë fanellën e Vllaznisë, kjo fundjavë ka rezervuar një sfidë sa interesante dhe po aq emocionuese. Përballë do të ketë ish-skuadrën e tij, Tirana, një fanellë të cilën e ka veshur që fëmijë duke u rritur dhe formuar në karrierë me këtë skuadër. Megjithatë, nuk është as i pari dhe as i fundit që e provon një gjë të tillë. Madje, edhe në këtë ndeshje në krahun tjetër do të jenë edhe tre “ish” të tjerë si Lika, Vucaj dhe Smajli që do ta provojnë një gjë të tillë përballë edhe skuadrës së tyre Vllaznia. I pyetur në lidhje me emocionet që do të jetë në këtë rast, ai thotë: “Normal që është një emocion për mua sepse unë kam dalë nga ekipi i Tiranes, aty e kam filluar karrierën time. Megjithatë, tashti unë jam futbollist i Vllaznisë, kam kontratë me Vllazninë dhe shpresojmë shumë që të dalim me sukses në këtë ndeshje duke marrë një fitore tre pikëshe ditën e diel”, – shprehet Sefa duke u pozicionuar në cilësinë e një profesionisti.

 

“Dua të bëj gol… por jo festë”

 

Sefa ndjen ende respekt për të kaluarën e tij te Tirana

 

Në ndeshjen me Kukësin, Jetmir Sefa shënoi një gol në minutat shtesë që ishte përcaktues për marrjen e pikës së parë të Vllaznisë në këtë fillim kampionati. Gol ky që e bëri atë për shumë ditë si një hero në mjedisin sportdashës shkodran.

“Normalisht që ai gol ishte shumë i rëndësishëm edhe për ekipin edhe për mua, sepse arritëm të marrim pikën e parë pas disa ndeshjesh jo të mira. Është një motiv më shumë për mua që të jap më të mirën dhe maksimumin në çdo ndeshje dhe të përkushtohem në shërbim të ekipit për të dalë me një rezultat pozitiv”, – thotë Sefa.

I pyetur nëse do t’i shënojë edhe Tiranës, duke kontribuar në fitoren e Vllaznisë, ai e konsideron një gjë krejt normale, duke thënë se të gjithë futen e lojës për të shënuar dhe për të fituar.

“Normal që tashmë duke qenë pjesë e Vllaznisë nëse do të më jepet mundësia patjetër që ta dërgoja topin në rrjetë, sepse në fushë futemi të gjithë për një qëllim dhe shpresojmë që ta fitojmë këtë ndeshje. Gjithsesi, ashtu si edhe futbollistë të tjerë, kur i shënojnë ish-skuadrave të tyre, gjithmonë nëse do të arrij të shënoj, nuk besoj se do të festoj, duke qenë se tek ai klub kam kujtime të kahershme të karrierës time sportive”, – pohon ai.

 

Ecuria

Forma sportive është në rritje

Në vijim të prononcimit për “Sport Ekspres”, ndonëse lojërat e tij po vlerësohen nga stafi teknik, vetë Sefa nuk është krejt i kënaqur me formën e tij, pasi është i bindur se ka mundësi për të rritur vlerat e tij, gjë të cilën pritet ta arrijë në ditët e ardhshme.

“Normalisht që çdo futbollist ka akoma për të dhënë më të mirën e tij pasi nga ndeshja në ndeshje ka rritje. Kështu që mendoj se duhet sërish rritje për të kapur formën time optimale”, – shprehet Sefa, ndërkohë që më pas flet edhe për rezultatin.

“Ne duhet të marrim patjetër rezultat pozitiv dhe nuk duhet të dalim pa pikë në këtë ndeshje. Duhet të futemi për ta fituar ndeshjen dhe normalisht nuk duhet ta humbin atë për të mos dalë pa pikë në këtë ndeshje. Në një farë mënyre ne futemi në fushë për të marrë trepikëshin, pastaj në fushë të shohin se çfarë do të ndodhë”, – shprehet Sefa, duke lënë të kuptohet se përpos objektivit të parë të fitores, edhe barazimi është i kënaqshëm, vetëm humbja nuk pranohet.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image