Një gol që vlen historinë, Selmani: Dita më e lumtur

Nga ftesa me kombëtaren e madhe te mrekullia në sekondat e fundit, flet portieri i Laçit: Ia dedikoj gjyshes dhe xhaxhait tim, që nuk jetojnë më. Ditën kur linda parashikoi që do të bëhesha dikush

0

Vladimir Prenga

Hidhërimi për një finale kupe të humbur nuk mund të mbetej kujtimi i fundit i sezonit për Gentian Selmanin, që pasi arriti kualifikimin në turet e Europa League me Laçin, “u zhyt” më pas në përgatitjet e miqësoreve me kombëtaren U-21 të Shpresave dhe përfaqësuesen A, atë të drejtuar nga Kristian Panuçi. Dhe, menjëherë, shansi iu shërbye në një lugë të artë, kur dëmtimi i Strakoshës i hapi dyert e ftesës me kuqezinjtë e mëdhenj, në Zvicër, për sfidat ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Sigurisht, Selmani nuk e kishte pritur kaq shpejt këtë moment, pasi vetëm 20 vjeç. Megjithatë, fati u tregua edhe më i mirë dhe ëmbël me të, sepse nëse me kombëtaren A nuk pati mundësi të debutojë (e ardhmja i përket atij, sigurisht, do të ketë kohë), duke i dhënë shansin e karrierës: gol në sekondat e fundit, me këmbë, në aksion, me fanellën e Shqipërisë U-21. Një rrjetë që i ka dhënë barazimin 1-1 në miqësoren e luajtur në Elbasan, skuadrës së Bushit, por që sidomos ka shkruar historinë e futbollit shqiptar, sepse gardiani i kurbinasve bëhet i pari që shënon me aksion si portier sa i përket ndeshjeve zyrtare të kombëtareve (çdo moshë, çdo kategori)… Sigurisht, në Superligë, përpara pak kohësh, ishte Moçka i Teutës ai që shënoi në fund, teksa në Itali, Brinjoli e bëri ndaj Milanit, duke i dhënë pikën e parë historike Beneventos… Në botë ka shumë shembuj, por Selmani sapo ka shkruar historinë dhe kaq mjafton… Ja intervista e tij për “Sport Ekspres”:

 

Dy gëzime në pak kohë. U ftuat nga Shqipëria e madhe dhe tani u rikthyet me Shpresat ku shënuar gol në sekondat e fundit, duke shmangur humbjen. Na përshkruani pak këto momente dhe gjendjen tuaj?

Jam shumë i gëzuar dhe ishte një ndër momentet më të bukura të karrierës time deri tani, pas shumë sakrificash, vuajtjesh, stërvitjesh të shumta. Me ndihmën e Zotit, gjërat kanë shkuar për së mbari.

Si ishte të shënojë në fund? Nuk është që ndodh çdo ditë një rast i tillë për një portier dhe janë me gishtat dorës ata që kanë shënuar…

Ishte ndjesi e bukur, më thanë se jam i pari që shënoj gol për kombëtaren shqiptare në aksion loje, në një ndeshje ndërkombëtare. Dhe, ndihem krenar për këtë gjë.

U pa gëzimi në fytyrat e shokëve të tu të skuadrës. Çfarë të thanë në ato momente dhe pas pushimit? Mund të na veçoni ndonjë koment pikant ose urim të veçantë, pas ndeshjes?

Grandeee” Selmani, kjo ishte ajo qe me beri me shum pershtypje. i falënderoj të gjithë shokët e skuadrës  sepse bënë një ndeshje shumë të mir, vuajtëm pak por luftuam të gjithë bashkë deri në fund dhe morëm një barazim të merituar.

Tani, të tregohemi të sinqertë… Më shumë urime për golin ndaj Bjellorusisë, apo ftesën në kombëtaren e madhe?

Edhe për kombëtaren mora shumë urime, ndërsa për golin ende nuk i kam parë. Kam pak frikë… (qesh)! Bëj shaka, sigurisht, sepse do t’i shoh të gjitha dhe i falënderoj për urime.

Mos më thoni që e kishit parashikuar golin dhe e keni karikuar mirë telefonin me bateri

Jo, jo! Nuk mund ta parashikoja kurrë…

Çfarë mendove kur dole në zonë? Kishit besim se do ia dilnit, qoftë ju vetë, apo shokët e skuadrës?

Gjithmonë e kam ëndërruar diçka të tillë, pavarësisht se jam portier. Kur shkova në zonë ndoqa aksionin dhe qëndrova aty. Sikur e ndjeja që do të vinte ai top dhe do ta dërgoja në rrjetë. Falënderoj edhe profesor Bushin që më dha leje të dilja dhe të shkoja në goditjen e këndit.

Veç urimeve të shumta, me siguri edhe ndonjë menaxher të ka dërguar mesazhe… Parashikohet verë e nxehtë në merkato. A ka diçka konkrete për jashtë vendit?

Të them të drejtën nuk di asgjë, kam qenë i fokusuar për ndeshjet e fundsezonit, shpresoj që të bëhet gjëja më e mirë për mua dhe ekipin ku do të luajë.

Sa duket, për momentin po mendoni për ndeshjet e Europa League me Laçin…

Po, është e vërtetë. Më duhet të pushoj disa ditë, sepse kam shumë nevojë. Ishte sezon i gjatë dhe i lodhshëm. Më pas, do të vazhdoj stërvitjet me ekipin.

Atëherë, për cilin shkon ky gol, sepse një dedikim e keni edhe ju, edhe pse portier?

Golin ia dedikoj familjarëve të mi, por në veçanti ia dedikoj xhaxhait tim dhe gjyshes që nuk jetojnë më…

Pse pikërisht ata, ka diçka që ju lidh kaq shumë?

Sepse, në ditën kur unë linda, ka qenë duke rënë bor dhe furtunë dhe ai i tha time më që ky djalë, kur të rritet do të bëhet dikush. Dhe, kur ma thanë këtë, e kam ngulitur në tru dhe gjithmonë do ta kujtoj. Shpresoj që të jetë një ogur i mirë në karrierën time.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.