Një fshat me 700 banorë po habit Poloninë

0

Kemi dëgjuar dekadën e fundit historinë e Hofenhajmit, një fshat në Gjermani me pak më shumë se 3000 banorë, që po shkëlqen në Bundesligë.

Megjithatë, rekordin e Hofenhajmit e ka thyer tashmë fshati i Niecieças, që ndodhet në jug të Polonisë, mes fushave të misrit, pranë lumit Dunajec dhe një fabrike të madhe për materiale ndërtimi.

Aty ndodhet edhe një stadium modern, Bruk-Bet Termalica Niecieça, ku luan Termalica Niecieça, një klub që po habit të gjithë, sepse renditet në vendin e katërt në kampionatin polak, 6 pikë larg Jagiellonias kryesuese.

Stadiumi i rindërtuar kohët e fundit (u rindërtua në vetëm 6 muaj, sepse nuk plotësnte kriteret për të luajtur në Ekstraklasa) bie në kontrast me ambientin përreth, sepse është në mes të një fshati me pak rrugë dhe vetëm 700 banorë, si dhe një shkollë të ndërtuar pikërisht nga pronarët e klubit të futbollit, pasi shkolla e vjetër u rrënua nga mungesa e fondeve.

Stadiumi dhe klubi i futbollit janë krenaritë e mëdha të këtij fshati të vogël, që është për Guinness, sepse është vendi më i vogël në Europë që ka një klub në ligën e parë të shtetit të vet.

Hofenhajmi u ndërtua nga milionat e hedhura nga Ditmar Hop, një ndër njerëzit më të pasur në Gjermani, ndërsa Niecieça është ndërtuar nga Kërzistof Vitkovski, i rritur në atë fshat dhe themelues i firmës Bruk-Bet, të cilën e themeloi 30 vite më parë dhe e ka bërë një biznes solid në fushën e ndërtimit.

Një dekadë më parë Niecieça luante tek amatorët, por në vitet 2004-2010 u ngjit me shpejtësi deri në divizionin e dytë.

Me shtimin e sponsorit të ri, kompanisë Termalica, u shtuan fondet dhe u ndërtua një skuadër e fortë, që kaloi çdo parashikim, duke u renditur në vendin e dytë në vitin 2015 dhe duke u ngjitur në Ekstraklasa, edhe falë punës së shkëlqyer nga një trajner ekspert si Piotër Mandris.

Vitin e shkuar Niecieça u rendit në vendin e 13-të, shumë pak për drejtuesit e klubit, që vendosën të punësonin trajnerin Çeslav Mihnieviç, i cili mbart nofkën “Murinjo i Polonisë”, për shkak të taktikave të tij dhe mbrojtjes perfekte, duke vënë në plan të parë rezultatin, pastaj lojën.

Megjithatë, duhet thënë se nuk është pronari Kërzistof Vitkovski drejtuesi i vërtetë i klubit, por bashkëshortja e tij Danuta, që është presidente e klubit dhe menaxhon gjithçka, nga buxheti, te kontratat dhe transferimet, duke u bërë e famshme për korrektësinë dhe të qenit e drejtpërdrejtë, në një futboll mjaft të pistë si ai polak, i akuzuar shpesh për trukime e marrëveshje nën rrogoz.

Ndonëse është një fshat që nuk ka pranë asnjë qytet të madh, lojtarët tashmë po binden gjithmonë e më shumë të shkojnë te Niecieça, pikërisht për faktin se agjentët e tyre po u rekomandojnë këtë klub nga trajtimi i shkëlqyer që u bën presidentja Danuta, duke ofruar paga të mira dhe mbi të gjitha duke paguar në kohë, gjë që nuk ndodh në shumë klube në Poloni.

Kur Niecieça u ngjit në Ekstraklasa, të gjithë mbetën të habitur dhe tifozët kundërshtarë filluan ta quanin këtë klub “fshatarët”, që me zor kanë 2000 tifozë për ndeshje, por ajo që po bën ky klub pak nga pak po fiton respektin e të gjithëve, pasi rezultatet janë domethënëse, mjafton të përmendet fakti se Legia nuk e mund Niecieçan prej 3 përballjesh.

Image result for nieciecza Termalica

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image