Një fizioterapiste sfidon paragjykimet në Shqipëri!

0

Erjon Saliu

Në dekadën e fundit, roli i femrave në futboll është rritur së tepërmi dhe, madje, nëse dikur shihej thjesht me syrin paragjykues të tipit “s’e kanë idenë se çfarë forme ka topi apo sa lojtarë janë në fushë”, tashmë janë një realitet i bukur dhe, madje, herë herë, për qetësinë në analiza, ia kalojnë edhe meshkujve… Madje, tashmë, kemi parë skuadra meshkujsh që të zgjedhin trajnere femra, si rasti i Klermontit në Francë përpara tre vjetësh…

Ndërkohë, edhe në Shqipëri, duket se ajo “perde e paragjykimit” është hequr disi dhe shembulli më i bukur vjen nga Pogradeci. Quhet Alma Angjo dhe është e vetmja femër që është pjesë e rëndësishme e stafit të një prej ekipeve të njohura të futbollit shqiptar. Roli i saj është që të “remontojë” futbollistët pas një stërmundimi fizik, dëmtimi apo edhe thjesht një rikuperimi të shpejtë. Ama është fizioterapistja e skuadrës liqenore. Në fakt, duket “tabu” që një femër të jetë në stadiumet shqiptare, aty ku sharjet janë pa limit, apo dhe sendet në fushë, për të mos thënë që një mentalitete i tillë nuk ekziston prej vitesh. Por, Alma  e bën me pasion, dhe qyteti i Pogradecit, si një “djep” kulture në Shqipëri, kërkon që të jetë ai i pari dhe bashkë me Almën, të thyejnë “tabunë”, pse jo par ta bërë së shpejti modë, përfshirjen e femrave në stafet e skuadrave, në role të ndryshme.

Pse jo edhe për të eliminuar dhunën apo dhe për ta bërë një modë, si në klubet e mëdha të Europës?! Alma duhet përgëzuar, sepse ajo tregon edhe humanizimin ndaj djemve pogradecarë apo dhe të rejave të kombëtares së volejbollit shqiptar! Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres”, fizioterapistja e njohur tregon gjithçka, që nga nisja e profesionit me futbollistët e deri më sot, por edhe disa sekrete dhe mentalitete nga stadiumet dhe qytetet shqiptare…

 

Alma, sa vite ke që je bërë pjesë e klubit të Pogradecit?

Unë kam që në vitin 2011, që jam pjesë e Kombëtares së të rejave në volejboll për femra, aty si të thuash jam afruar me sportin. Më pas, jam bërë pjesë e Pogradecit, skuadrës së të rriturve, ku kam plot tri vite.

Si je ndier dhe si të kanë pritur?

Nuk e kam problem punën me djemtë. Në fillim stafi e kishte pak me skeptizicëm, më shumë për mentalitetin jashtë se sa në qytetin e Pogradecit. Imagjinoni, të jesh diku në transfertë dhe një femër të futet në fushë! Në fakt, më shumë kishin frikë dhe jo se nuk kanë besuar në aftësitë e mia, sepse eksperienca ime në këtë fushë është shumë e madhe. Fillimisht, kur më kanë parë në fushë, janë habitur, madje duke bërë edhe “uuuuu”, siç e kanë zakon në stadiumet shqiptare.  Personalisht e kisha “stakuar” mendjen dhe isha “top”, duke me vetëkënaqësinë më të madhe dhe me mendjen “top” një detyrë fisnike. Kurrë nuk jam penguar, përkundrazi, e kam marrë me shumë optimizëm. Unë e bëj punën me pasion dhe me shumë dëshirë.

Po më pas si kanë ecur gjërat në marrëdhëniet e tua me lojtarët apo tifozët, sidomos kundërshtarët duke qenë se në qytetin e Pogradecit ju njohin? Cila ka qenë ndeshja juaj e parë si fizioterapiste dhe ku keni debutuar?

Ndeshja ime e parë, ku është dashur edhe ndërhyrja në fushën e lojës, ka qenë takimi i zhvilluar në qytetin e Pogradecit, me skuadrën e Dinamos. Fillimisht pata përgëzime, normale, sepse në qytet më njohin.

Po në transfertë dhe si ju pritën?

Në Lushnjë, kur pata një moment për të hyrë në fushë, për të ndihmuar një nga djemtë, për dëmtimin që pësoi, dëgjova një “uuuu”, të çuditshme në stadium. Normalisht s’më erdhi mirë,  e megjithatë, as nuk e kisha fare problem.  Të them të drejtën, drejtuesit e ekipeve, madje dhe në Superligë, më shohin me mëdyshje…!

Tashmë që ju keni thyer një “tabu”, mendoni se duhet të ketë të tjera femra në ekipet e futbollit?

Patjetër që duhet të ketë, pse jo. Jemi ne femrat që duhet të hedhim të parat poshtë këtë mentalitet. Por, jam shumë e bindur, që edhe dhuna, duke pasur sa më shuam femra në stadiume do të largohet. Do të bëhet një kulturë si edhe në stadiumet dhe vendet e zhvilluara të Europës moderne. Për këtë jam shumë e bindur.

Po jashtë shtetit, ke qenë, për specializim apo në aktivitetet me futbollin apo volejbollin?

Po, kam qenë. Me kombëtaren e të rejave në volejboll. Kam qenë në Banja Luka, në Bosnjë. Ka qenë kampionat ballkanik, në volejbollin e të rejave. Atje ndiheshe si në shtëpi, nuk shikonte njeri fare si në Shqipëri! Një mentalitet dhe kulturë shumë më e avancuar se këtu.  

Keni pasur ndonjë festë nga kombëtaret e djemve?

Ende jo, por do ta prisja me kënaqësi dhe kurrë nuk do ta refuzojë, sepse është fanella e konit tim. Madje, do të isha shumë  e motivuar dhe do t’i shërbeja me krenari.

Krahas klinikës suaj, jeni e punësuar edhe në skuadër apo?!

Unë kam afruar afër stadiumit klinikën time. Plus kam edhe një rrogë modestë, sivjet duke u punësuar dhe përkrahur nga Bashkia që është edhe sponsorja kryesore e futbollit në Pogradec.  Çdo aparaturë apo dhe kremrat apo vajrat e masazhit i blej vetë. Tani më kanë akorduar edhe një mini-fond si të thuash.

Si janë marrëdhëniet me djemtë e ekipit të Pogradecit?

Shumë të mira, mjafton t’i kem mirë djemtë.

Ok, ndonjë sekret mund të na zbuloni, nga lojtarët e Pogradecit, kush ju respekton më shumë dhe kush është më zevzeku?

(Qesh), Aasnjëri….Të gjithë i kam djem të mrekullueshëm. Edhe më respektojnë shumë. Më duan jashtë mase, sepse përpiqem shumë për ata, vetëm që ata të jenë në fushë. E kam peng, kur ndonjëri ka dëmtim dhe nuk ia del. Mund të veçoj Pengun, Shkullakun e Shytin, pa harruar edhe Topllarin, por sinqerisht, jo. Djemtë e Pogradecit s’bëjnë dallime, madje edhe të huajt që luajnë këtu, janë si në shtëpinë e tyre. Më respektojnë dhe i ndihmoj me maksimumin tim.

 

Ndjek shembullin e “çudibërëses” Marjana

“Dua që të ndjek shembull e Marjana Kovaçeviç, serbes së famshme që ka rikuperuar në kohë rekord Kristiano Ronaldon si dhe Hamdi Salihin apo dhe lojtarë të tjerë të Skënderbeut.  Mbaj, mend që Kovaçeviç e rikuperoi Hamdi Salihin për katër ditë. Edhe djemtë më krahasojnë me atë. Sepse ka ndodhur që i kam rikuperuar shumë shpejt.  Mbaj mend Ish-portierin Lamellari apo sulmuesin brazilian Pinto. Në kohë rekord, i kam bërë gati, vetëm që të ishin në fushë. Kam ndjekur ndeshjet e Çelësit dhe më vinte mirë kur shikoja respektin që tregonin ndaj Eva Karnieros, fizioterapistes së skuadrës së njohur londineze. Më vinte mirë, kur shihja duartrokitjet dhe respektin që shfaqnin ndaj punës së saj dhe personit të saj. Me të vërtetë diçka, që duhet të bëhet realitet edhe këtu në Shqipëri”.

Studion literatura të huaja

”Profesioni ynë sot është mjaft i përhapur dhe i domosdoshëm. Unë studioj shumë literaturë, madje edhe të huaj, apo të kolegeve të mia në skuadra të Europës. Unë mbledh shumë informacione dhe shikoj raste të ndryshme, të cilat normalisht, më kanë shërbyer edhe në Pogradec”.

“Shkodra respekton femrat, u mallëngjeva nga pritja”

“Një vit më parë, kemi pasur një ndeshje të Kupës në Shkodër. Shkova me ekipin, dhe me të vërtetë kam mbetur e mahnitur nga ai qytet. Me të vërtetë janë djep kulture, por edhe që dinë ta vlerësojnë dhe respektojnë një femër. Kur hyra në fushë, më kanë duartrokitur, duke më dhënë edhe kurajë vazhdimisht. Ka qenë me të vërtetë një moment shumë emocionues dhe i jam mirënjohës atij publiku, që e do futbollin dhe kulturën, por di të respektojë femrat historikisht”

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here