Një e vërtetë e madhe/ Surpriza e Bylisit, Flamurtari dhe… fjalët e Pochetinos!

Situata e Flamurtarit është më shumë se serioze, ndërsa në 6 ndeshjet e para të kampionatit shqiptar, ka marrë vetëm një pikë. Për më tepër ajo humbje e fundit në kampionatin shqiptar, teksa u dorëzuan me rezultatin 3-0 në pjesën e parë ndaj Bylisit dhe 5-0 në fundin e 90 minutave, ngriti jo pak diskutime.

Madje administratori i ekipit, Sinan Idrizi, ngriti zërin në mbledhje duke paralajmëruar edhe përjashtime pas humbjes së tillë ndaj Bylisit, jo vetëm për t’ia hedhur me gjoba. Pra situata ishte e tillë, më shumë sesa vetë rezultatet negative në tërësi, si turpërim u kap pjesa që ekipi i Kategorisë së Parë, që erdhi prej vetëm këtë sezon, arriti të turpëronte në këtë mënyrë Flamurtarin.

Por futbolli modern nuk është i tillë, nuk mund të konceptohet në këtë mënyrë. Sot skuadrat nuk fitojnë dot vetëm me fanellë dhe me historinë që kanë. Në ditën e djeshme na erdhi edhe një leksion i madh nga trajneri i Totenhem, Pochetino, që duhet të dëgjohet e të dëgjohet pambarimisht nga të gjithë.

“Futbolli është ky që luhet sot, jo ai që është luajtur dje. Futbolli nuk është si ke qenë përpara 3 muajsh. Futbolli është ky i sotmi dhe ai që do të luhet nesër”. Megjithëse Totenhemi kishte arritur në finalen e “Champions League” pak muaj më parë, u turpërua në shtëpi me rezultatin 2-7 ndaj Bajernit.

Trajneri Pochetino nuk zgjodhi që të mbrohej me arritjet e tij, por duke u shprehur mbi formën aktuale. Bajerni ishte shumë herë më lartë dhe arriti të bënte një fitore, që pavarësisht emrit të madh që ka, ishte më shumë se e tepërt nga anglezët që vinin pas një suksesi.

E për të vazhduar krahasimin, Flamurtari nuk mund të bazohet tek historia, te shkuara, nuk mund të bazohet te vitet e arta. Madje as përpara 3 muajsh nuk është se ka qenë shumë herë më mirë, por gjithsesi jo në këtë pikë. Duke parë situatën e futbollit të sotëm dhe atij të nesërm, Bylisi është shumë herë më lartë jo vetëm se Flamurtari, por edhe shumë ekipe të tjera në Superiore.

Analiza duhet të bëhet vetëm në bazë të gjendjes së vetvetes, për t’u ringjitur. Kurrsesi nuk mund të quhet tragjedi ajo humbje e thellë në Ballsh, pasi nëse bazohemi me futbollin aktual, ndoshta ky dështim i vlonjatëve nuk ishte edhe aq i papritur. /Sport Ekspres/