Një 11-metërsh eliminon Vllazninë, shkodranët nuk durojnë më

0

Një 11-metërsh i dyshimtë, për të mos thënë ndonjë gjë më shumë, i hapi rrugën kualifikimit të Teutës dje ndaj Vllaznisë, kur rezultati ishte 0-0 dhe shkodranët shihnin shumë pranë kualifikimin.

Vendimi i arbitrit Enea Jorgji është kundërshtuar pa fund nga Vllaznia, që pas ndeshjes ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku akuzon ashpër gjyqtarin e FIFA-s, duke kërkuar që t’i hiqet stema si ndërkombëtar.

“Klubi i Futbollit Vllaznia është i detyruar të dalë me këtë deklaratë për shtyp pas ndeshjes së sotme Teuta- Vllaznia, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, nisur nga arbitrimi i turpshëm i kryesorit Enea Jorgji. Themi i turpshëm, sepse ky arbitër vendosi jo vetëm fatin e kësaj ndeshje, por edhe atë të kualifikimit. Natyrisht që për ne nuk ishte ndonjë gjë e re me këtë arbitër, sepse sidomos në këtë sezon na ka dëmtuar sistematikisht, duke nisur nga 11-metërshi shumë i dyshimtë i dhënë ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fazës së dytë të kampionatit, për të vazhduar me 11-metërshin e paqenë në ndeshjen me Partizanin në Tiranë dhe për të përfunduar tek ndeshja e sotme, e cila ishte një turp i vërtetë për këtë arbitër, që fatkeqësisht mban edhe stemën e FIFA-s. 11-metërshi i dhënë prej tij, jo vetëm që është qesharak, por besojmë se duhet të shoqërohet me heqjen e stemës që mban. Por jo vetëm kaq. Sërish mosndërprerja e lojës për goditje të topit me dorë, çka solli edhe golin e dytë të kundërshtarit. Ndëshkimet e këtij arbitri vazhdojnë edhe me disa raste të tjera që favorizonin dukshëm ekipin vendas, ndërsa toleronte ndërhyrjet e tyre të ashpra ndaj futbollistëve tanë. Për të gjitha këto, ditën e sotme, KF Vllaznia do të dalë në një konferencë për shtyp, ku me pamjet filmike të ndeshjes do të demaskojë veprimet e turpshme të këtij arbitri në dëm të ekipit tonë. Njëkohësisht, atë do ja dërgojmë edhe FSHF-së bashkë me kërkesën që ky arbitër të mos e drejtojë më Vllazninë, sepse për klubin tonë ai tani e tutje është “non grata”. KF Vllaznia nuk do ta lërë me kaq çështjen e këtij arbitri. Pamjet filmike të kësaj ndeshje, por edhe ato të ndeshjeve të mëparshme në të cilat ka ndëshkuar Vllazninë, do t’ia dërgojmë FIFA-s dhe UEFA-s dhe do kërkojmë deri në fund ndëshkimin e tij për t’i hequr stemën që ai mban. Futbolli shqiptar nuk ka nevojë për Enea Jorgjin dhe arbitrimet e tij skandaloze. Për këto arsye, jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje”, shkruhet në deklaratën e kuqebluve.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here