Nisin maloret për Kamzën, Ndreu në hall

Kamzalinjtë do të luajnë kundër Kukësit dhe Skënderbeut. Trajneri i druhet presionit mbi lojtarët. Moment delikat për ekipin e tij

Fitorja me Laçin i dha frymë Kamzës dhe e largoi disi nga “ethet” e zonës së ftohtë, ndërsa humbja me Partizanin në “Selman Stërmasi” u cilësua e padrejtë nga kamzalinjtë, pasi paraqitja e tyre ishte e një niveli të lartë. Trajneri Ramadan Ndreu jo më kot ishte i shqetësuar dhe donte pikë në duelin kundër “demave”, pasi kalendari në dy javët e ardhshme rezervon malore të forta. Kamza do të luajë me Kukësin jashtë fushe, pastaj do të presë Skënderbeun në fushën e saj.

KALENDARI – Kamza do të udhëtojë të shtunën drejt Kukësit për t’u ndeshur me kampionët në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Kjo sfidë vjen në një moment jo të përshtatshëm, pasi verilindorët kanë shumë nevojë për pikë, pas barazimit me Flamurtarin në fushën e tyre.
I njëjti skenar do të përsëritet edhe pas një jave, pasi Kamza do të presë Skënderbeun. Trajneri Ramadan Ndreu është i qartë për këtë moment, pasi këto dy ndeshje janë përcaktuese për vazhdimësinë e kampionatit. Dy rezultate negative mund të fusin në trysni Kamzën, pasi mungon eksperienca, ndërsa ndonjë pikë e marrë me dy kundërshtarë të fuqishëm ndikon shumë në aspektin psikologjik.  

PROBLEMET – Numri 1 i stolit kamzali duhet të zgjidhë problemet që ekipi në mbrojtje, pasi ndeshja me Partizani i vuri më shumë në pah. Trajneri Ndreu deklaronte më parë se largimi i Fushtarit do t’i hapte probleme dhe në fakt golat e pësuar kundër Partizanit ishin naivë. Pikëpyetje edhe për portierin Gjonikaj, që gaboi në golin e parë.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *