Nis Premier, “big four” gati për show

0

Spektakli i Premier Ligës në Angli starton sot pasdite sezonin e ri. Një garë ku të gjithë janë kundër të gjithëve por në fund përmblidhet në atë që në Angli pëlqejnë t’i quajnë “big four”, ose katër të mëdhenjtë. Ose më saktë Mançester Junajtid, Arsenali, Çelsi dhe Mançester Siti që kanë ndarë këtë trofe mes tyre në 20 vitet e fundit. Natyrisht nuk përjashtohen as Liverpuli e Totenhami, por specialistët në Angli mendojnë se titulli edhe njëherë do të ndahet mes katër të mëdhenjve. Do të jetë një ndeshje e madhe që do të çelë sezonin e ri në Premier, ku në “Olf Trafford”, Mançester Junajtid do të presë Totenhamin. Që nga këtu do të nisë gjuetia për kurorën e Çelsit, që nga ana e vet do të nisë mbrojtjen e titullin sonte në mbrëmje me përballjen kundër Suonsit. E teksa ekipet janë vënë në start, analistët në Angli kanë bërë parashikimet e tyre ndonëse skuadrat pretendente janë ende në konfigurim e sipër përderisa merkato është ende e hapur dhe kanë të tjera miliona për të shpenzuar.

Çelsi – Për pjesën më të madhe të analistëve në Angli, Çelsi mbetet ekipi për t’u mundur. Edhe pse ka ndryshuar pak nga skuadra e sezonit të kaluar – është afruar vetëm Falkao – përsëri ekipi i Murinjos është në krye të listës. Murinjo e ka deklaruar qartë se dëshiron të bëhet i pari trajner që arrin të mbrojë kurorën e kampionit që nga viti 2009, ndonëse e ka të qartë se këtë sezon do të jetë shumë më e vështirë. Por edhe kundërshtarët përpara se të shohin nga kurora të gjithë duhet të bëjnë llogari me kampionët e Anglisë në fuqi.

Mançester Siti – Pas Çelsit është Mançester Siti ekipi më i kuotuar për të marrë kurorën e kampionit. E nëse do të shkojmë me statistika, në vitet e fundit Siti e ka fituar njëherë në dy vjet kurorën. Pasi e ka dorëzuar vjet tek Çelsi është gati ta marrë sërish. Në skuadër ka pasur ndryshime, sikurse priten edhe të tjera zhvillime deri në fund të merkatos. Janë larguar Jovetiç e Edin Xheko, por në skuadër është afruar Delf e mbi të gjitha Rahim Sterling për të cilin u paguar afro 50 milionë sterlina. Ndonëse kanë pasur një fazë përgatitore të turbullt me disa humbje të thella, përsëri “Qytetarët” janë ndër favoritët absolutë për të fituar titullin në Premier.

Arsenali – Skuadra që ka ndarë mkë shumë specialistët për sa i përket rolit të favoritit për titullin është Arsenali. Specialistët janë të ndarë nëse janë “Topçinjtë” apo Mançester Siti rivali numër një i Çelsit. Afrimi i Peter Çeh pikërisht nga Çelsi është vlerësuar nga të gjithë në ishull si blerja më e mirë e verës në futbollin anglez. Mjafton një portier i sigurt dhe kuotat për t’u shpallu kampion marrin menjëherë për lart, kjo pasi pjesa tjetër e ekipit është e konfirmuar. Venger është i sigurt se këtë herë Arsenali mund t’i shkojë deri në fund. Por dy janë kushtet: të mos ketë ato dëmtime që e shoqëruan gjatë gjithë sezonit të kaluar dhe së dyti të ketë një start ndryshe nga ai i sezonit që lamë pas, ku në 3 muaj la plot 12 pikë ndaj Çelsit që i kushtuan deri në fund.

Mançester Junajtid – Deri më tani Junajtid ka shpenzuar afro 100 milionë euro në merkato për të afruar lojtarë si Shvajnshtajger, Darmian, Depaj, Shnajderlin, Romero, e megjithatë nuk shihet si rreziku numër një i Çelsit. Edhe ai e di mirë këtë, i mungon diçka dhe ajo diçka e ka emrin Pedro, që pritet të vijë pas pak javësh. Problemi më i madh i “Djajve të kuq” mbetet sulmi i cunguar nga largimet e van Persit e Falkaos, pa harruar dhe di Marian.

Liverpuli e Totenhami – Edhe këtë verë Liverpuli është ekipi që ka shpenzuar më shumë në merkato, mbi 100 milionë sterlina për 7 lojtarë, por sërish analistët në Angli kanë dyshime te ekipi i drejtuar nga Roxhers. Për ta maksimumi i Liverpulit është një vend i katërt të cilin duhet ta ndajë me Junajtid, por Roxhers dhe të kuqtë janë gati t’i provojnë të kundërtën. Edhe më episodik shihet Totenhami, ndonëse “gjelat” mund të kthehen në faktor për katër ekipet pretendente. gjithçka nis sot, një rrugëtim që do ta ndalet në mesin e majit të ardhshëm. Tifozët duhet të bëhen gati, të paktën spektakli është i garantuar.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.