Nis grumbullimi, Borova do paraqitje dinjitoze

0

 

 

Trajneri i Kombëtares së femrave në basket: “Mos prisni mrekulli, rivalët që kemi në grup kanë diferenca të mëdha me ne. E rëndësishme është se kemi ndërtuar një kombëtare nën moshën 30 vjeç duke synuar të ardhmen e kësaj përfaqësueseje”

                 

Gjergj Vyshka

 

Kombëtarja e basketbollit të femrave, e cila do të drejtohet nga Erdal Borova dhe Elvira Xhyra, dje ka nisur grumbullimin e saj për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Evropian 2017. Siç dihet Shqipëria ballafaqimin e saj të parë do ta ketë më 21 nëntor në ora 18:00 ndaj Italisë vendësë dhe pas katër ditësh do të jetë në transfertën e Podgoricës ndaj Malit të Zi në ora 20:30. Për këto dy ndeshje të para kualifikuese, Borova ka grumbulluar 18 vajza, ndërsa ajo që do të mungojë, të paktën edhe sipas kryebankinës kuqezi, është Enisa Semanjaku për arsye personale. “Mos prisni mrekullira nga ne – thotë Borova në një prononcim për mediat – sepse kundërshtarët që kemi në grup jo vetëm që janë të vështira, por kanë edhe diferenca të mëdha me ne. Do të mundohemi të bëjmë paraqitje dinjitoze, ndërsa kemi ndërtuar një kombëtare të moshës nën 30 vjeç për të menduar të ardhmen e kësaj skuadre, e cila duhet të jetë në vazhdimësi në arenën ndërkombëtare. Gjendja që kanë lojtaret nisur dhe nga ajo që kanë marrë gjatë përgatitjes për kampionat do të na ndihmojë të tregojmë vlerat tona, por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë”. Ndërkohë në stërvitjen e parë të kombëtares së femrave, e cila grumbullohet pas plot katër vjetësh, ka qenë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. E në përgjithësi përzgjedhja është bërë mes lojtareve të Flamurtarit, Goga Basket, Tirana, Skënderbeu, Studenti, Kamza Basket. Sigurisht që mungojnë edhe emra të lojtareve që deri kanë mbajtur peshën në këtë përfaqësuese të tilla si Migena Plasa, Aida Palko, Karolina Kostallari etj, të cilat edhe për shkak të moshës së madhe duket se nuk janë preferuar në këtë përzgjedhje. Deri më 20 nëntor, kohë në të cilën kombëtarja e femrave të Shqipërisë do të niset për në Itali, përfaqësuesja do të qëndrojë e grumbulluar në Tiranë, ndërsa do të punojë me dy seanca stërvitore në ditë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

 

Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë në Evropian

21 nëntor 2015       Itali – Shqipëri                ora 18:00

25 nëntor 2015       Mali i Zi – Shqipëri       ora 20:30

20 shkurt 2016       Britani e Madhe – Shqipëri

24 shkurt 2016       Shqipëri – Itali

19 nëntor 2016       Shqipëri – Mali i Zi

23 nëntor 2016       Shqipëri – Britani e Madhe

 

Lista e lojtareve të ekipit kombëtar

Fabiola Përmeti (Goga Basket), Elektra Zykaj (Flamurtari), Ornela Lalaj (Studenti), Sara Gjoni (Tirana), Eliverta Bujari (Tirana), Gera Bujari (Tirana), Eli Papa (Skënderbeu), Edi Dishnica (Goga Basket), Edona Berranija (Vllaznia), Adelajde Aliaj (Tirana), Ingrid Dashja (Vllaznia), Dorina Mema (Studenti), Gridi Sokoli (Kamza Basket), Enxhi Xhanaj (Goga Basket), Enkeleda Llazar (Skënderbeu), Dorina Mehmeti (Goga Basket), Igena Qypi (Goga Basket), Artemida Myrto (Flamurtari)

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here