Nimaga: Skënderbeu do t’i rikthehet fuqishëm Europës

0

 

 

Mesfushori ndjen keqardhje që skuadra e tij është jashtë Championsit dhe deklaron që korçarët do të kenë sërish një super-skuadër në sezonin e ri

 

Leonard TREBICKA

 

Bakari Nimaga është ndër ata pak lojtarë te Skënderbeu që kontrata i përfundon shpejt. Më 31 janar 2017, malieni mbyll katër vitet me Skënderbeun, ndërkohë që vetë futbollisti mendon se do të vijojë të jetë pjesë e korçarëve, ndonëse pranon se një gjë e tillë varet nga

presidenti Ardjan Takaj dhe trajneri Agostineli. Për Nimagën, ky sezon veror pa Champions ka sjellë jo pak keqardhje. Në pritje të startit të përgatitjeve që do të zhvillohen më 31 korrik, Bakari Nimaga shprehet për “Sport Ekspres” se ky Skënderbe do të jetë edhe më i fortë sezonin e ardhshëm.

 

-Nimaga, së pari si po shkojnë pushimet tuaja gjatë kësaj periudhe?

-Ishin pushime të paplanifikuara, sepse të gjithë mendonim që sot të ishim pjesë e Champions League. Ashtu si edhe vitin e kaluar isha i bindur që edhe këtë sezon do të vazhdonim gjatë në Europë. Por, nuk ishte e thënë dhe sot na duhet të pushojmë edhe pak ditë e më pas të fillojmë të mendojmë për startin e sezonit të ri. Më vjen vërtet keq, sepse në fund të fundit nuk e meritonim, por ja që i bëmë Partizanit një dhuratë të madhe.

 

-Me këto fjalë tregoni se jeni jo pak i mërzitur…

-Nuk jam vetëm unë i mërzitur, por gjithë ekipi i Skënderbeut dhe gjithë ata që e përkrahën vitin e kaluar kur shkuam aq larg në Europë. Ne jemi një skuadër e kolauduar tashmë dhe e kishim të sigurt, që me këtë grup futbollistësh, do të shkonim larg në Europë. Gjithsesi nuk kemi se çfarë të bëjmë pasi ajo që ndodhi nuk kthehet prapa. Tani të mendojmë për ato që na presin përpara.

 

-Për të kaluar te Skënderbeu i sezonit të ri. Si mendoni se do të jetë ekipi vitin e ardhshëm?

-Do të jetë një Skënderbe edhe më i fortë. Gjithashtu, do të rikthehemi fuqishëm në Champions League, por së pari do sigurojmë një tjetër titull kampion, sepse vetëm titulli kampion na çon në eventin më të madh europian. Unë jam i bindur që trofeu i kampionatit në sezonin e ardhshëm do të na takojë sërish neve.

 

-Jeni i bindur për këtë gjë?

-Ne kemi vite që po bëjmë “ligjin” në futbollin shqiptar dhe sigurisht që jemi të bindur se ajo rrugë që kemi nisur do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Skënderbeu grupin e ka, lojtarët kanë treguar që janë më të mirët në Superligë dhe me përforcimet që janë bërë dhe do të jemi më të fortë.

 

-Keni fituar katër tituj kampionë me Skënderbeun. Cili prej këtyre trofeve ju ka shijuar më tepër?

-Të gjithë kanë qenë tituj me vlerë dhe tituj që i kemi merituar. Më kanë kënaqur pa përjashtim të gjithë, sepse na kanë çuar në Europë dhe kanë treguar se Skënderbeu ka bërë “ligjin” në futbollin shqiptar.

 

-Këto sezonet e fundit keni luajtur pak dhe nuk ka qenë ajo pritshmëri për ju, ndonëse keni pasur jo pak dëmtime…

-Po është e vërtetë që kam pësuar disa dëmtime, por i kam kaluar tashmë dhe jam duke punuar shumë që të rikthehem në formën time më të mirë. Jam këtu te Skënderbeu për të dhënë maksimumin tim të mundshëm dhe unë premtoj se edhe në sezonin e ri do të bëj ç’është e mundur që të ndihmoj skuadrën në objektivat që ka.

 

-Kjo merkaton vere te Skënderbeu ka sjellë shumë afrime në mesfushë. Ju tremb konkurrenca?

-Çdo vit më është bërë kjo pyetje dhe unë ju kam thënë që asnjëherë nuk më ka trembur asgjë. Përderisa është fusha ajo që tregon vlerat e secilit, jam i bindur që do vazhdoj të tregoj vlerat e mia më të mira. Konkurrenca është ajo që bën ekipin edhe më të fortë.

 

-Keni edhe gjashtë muaj kontratë me Skënderbeun. Do të rinovojë Nimaga?

-Ndjehem shumë mirë këtu dhe kështu jam ndjerë që ditën e parë që kam ardhur në Korçë. Në janar të 2013-ës kam mbërritur në qytetin juglindor dhe akoma nuk i kam mbushur 22 vjeç. Kjo tregon që jam rritur te ky ekip. Nëse do të vazhdoj të qëndroj apo jo, këtë do ta tregojë koha. Unë jam shumë i kënaqur dhe mendoj se qëndrimin time e ka në dorë presidenti i ekipit. Shpresoj që një ditë të luaj edhe në ndonjë skuadër të madhe në Europë, por kjo rrugë kalon vetëm nëpërmjet Skënderbeut.

 

-Diçka të fundit për të shtuar?

-E vetmja gjë që më vjen keq është që jemi jashtë Europës në këtë verë, ndërsa të tjerat janë në rregull dhe në sezonin e ri do të jemi edhe më të fuqishëm se vitet e kaluara. Për këtë ju garantoj.  

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image