Nikaj tregon suksesin: Kastrioti im, konkurrencë dhe finale

Trajneri shkodran ka ndërtuar një ekip simpatik që duket i sigurt drejt elitës: Egnatia, e fortë por lojtarët ma bëjnë më të lehtë punën

Bujar Balliu

Kastrioti ka qenë një nga ekipet më solide të Kategorisë së Parë këtë sezon. I ndërtuar nga një trajner me ambicie si Samuel Nikaj që në fillim të sezonit, madje më herët edhe se disa ekipe të Superiores, një merkato me kualitete dhe një fazë për të qenë, ishin treguesit e qartë se Kastrioti do të rivalizonte denjësisht. Koha e tregoi dhe e vërtetoi më së miri, javë pas jave rezultate pozitive dhe një skuadër në rritje që ka bërë diferencën me ekipet rivale.

Një meritë të madhe që Kastrioti tashmë konfirmohet si skuadra e parë e Kategorisë së Parë që është shumë afër Superiores, ka edhe trajneri Samuel Nikaj, i cili në një dalje publike për mediat u shpreh: “Kemi pasur një ecuri shumë të mirë, kemi zhvilluar ndeshje të bukura me intensitet të lartë dhe kemi krijuar shumë raste për gol në çdo ndeshje. Në çdo aspekt të lojës kemi qenë superior, dhe i vetmi problem ka qenë konkretizimi i rasteve të krijuara, sidomos në pjesën e parë të sezonit. Kemi një kontigjent me 20 lojtarë që secili përgjigjet pozitivisht gjatë minutazhit që i jepet, stërviten me dëshirë sepse ka konkurrencë në ekip. Morali është i lartë për vet ecurinë që kemi pasur. Personalisht, bashkë me lojtarët e eksperiencës që kemi në ekip, mundohemi të krijojmë një frymë të atillë që të mos ketë eufori e vetëm kënaqësi, vetëm përulësi e përqendrim. Jam me fat që kam lojtarë me shumë eksperiencë që ma bëjnë më të lehtë punën time si trajner për realizimin e objektivit madhor”.

Egnatia – Egnatia, me të cilët Kastrioti do të luajë në javën e ardhshme është edhe “finalja” e fundit. Këtë e thotë edhe Nikaj: “Respekt për çdo kundërshtar, frikë asnjë. Do të luajmë me lojë sulmuese, me presing ultra ofensiv, qarkullim të dendur të topit dhe mbrojtje solide. Në futboll nuk ka kurrë qetësi, deri kur matematika të lejon të festosh. Ne kemi pasur kundërshtarë shumë të fortë në grup, dhe Egnatia ka qenë një nga më të fortat”, -tha në fund të prononcimit trajneri Samuel Nikaj i Kastriotit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *