Nikaj: Jemi Kastrioti, askush s’na e “rrëmben” Superioren

Trajneri i krutanëve: Formula nuk është e drejtë, pasi penalizohet ekipi më i mirë dhe futen në garën për Superiore skuadrat që sot luajnë për të zënë një vend në pesëshe

Bujar Balliu

Trajneri i skuadrës së Kastriotit Samuel Nikaj, dje i ka dhënë udhëzimet e fundit skuadrës në prag të transfertës që do të zhvillohet sot në orën 14:00, në “Tofik Jashari” të Shijakut”. Në një nga betejat më të forta, trajneri Nikaj ka besim se skuadra e tij do të rikthehet te fitorja. “Kjo është ndeshja e fundit e fazës së dytë, fazë në të cilën kemi zhvilluar një sezon deri diku të mirë, edhe pse dy humbjet e pësuara kanë ndodhur pikërisht në këtë fazë. Megjithatë, kemi arritur deri këtu në ndeshjen e fundit të kësaj faze që na përball me Erzenin, që në këndvështrimin tim është një skuadër mjaft e mirë. Ne, ashtu si në çdo ndeshje do të luajmë lojën tonë sulmuese, dhe dihet që synimi janë tri pikët dhe duke qenë se pas kësaj ndeshje vjen edhe përgjysmimi i pikëve, janë mjaft të domosdoshme”, – u shpreh fillimisht tekniku, i cili foli edhe për fazën e tretë.

“Unë e kam thënë edhe herë të tjera që kjo formulë nuk është e drejtë, pasi penalizohet ekipi më i mirë, dhe futen në garë për Superiore ato ekipe që edhe në ndeshjen e sotme luajnë për të zënë një vend në pesëshe. Megjithatë, edhe pas përgjysmimit dhe ndarjes së re të grupit, është e vërtetë që ndeshjet do të jenë më të forta. Por, ne jemi Kastrioti dhe nuk i frikësohemi askujt, do vazhdojmë të ecim përpara drejt realizimit të objektivit, që është ngjitja në Superiore”, – u shpreh Nikaj. Në ndeshjen e sotme, Kastrioti do të ketë sërish dy mungesa, atë të Malindit dhe Husein, të dy të dëmtuar.

Formacioni i mundshëm: Kuka, Lilaj, Lila, Çela, Hoxha

Mziu, Çutra, Karakaçi, Boci, Kabiru, Marku. Trajner: S. Nikaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *