Nica: Kemi një projekt te Devolli, këtu jetohet me futbollin

Stavri Nica ia doli ta ngjiste Devollin në Kategorinë e Parë. Trajneri i njohur ia nisi nga puna në muajin janar dhe në të gjitha ndeshjet që skuadra e tij zhvilloi nuk pësoi asnjë humbje. Devolli parakaloi Shkumbinin dhe e mbylli kampionatin në vendin e parë.  sezonin e ardhshëm skuadra e drejtuar nga Stavri Nica do të garojë në të Parën.

Durrsaku, për SportEkspres.com ka deklaruar: “Ky është një sukses që ka shumë aktorë, të cilët dhanë kontributin e tyre dhe e ngjitën skuadrën e Devollit në Kategorinë e Parë. Me këtë sukses, karriera ime e gjatë në trajning u plotësua, edhe pse bëhet fjalë për kategori inferiore në futbollin tonë. Kjo ka pak rëndësi, sepse të gjithë në Bilisht jetojnë me futbollin e skuadrës së tyre. Ka një interes e përkushtim, që u shpërblye”,

Nica ndërkohë bën me dije se nuk do të largohet nga Devolli: “Me drejtuesit kemi një projekt afatgjatë. Tashmë rëndësi ka që në Kategorinë e Parë të tregohemi dinjitozë. Na duhet që të fitojmë edhe finalen e Kategorisë së Dytë me Tërbunin dhe më pas do të nisim nga puna për ndërtimin e një skuadre të kompletuar. Bazë do të jetë skuadra aktuale”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *