Ngo: Mema brilant, ja çfarë ka ndryshuar ai te Tirana

Majkëll Ngo luajti ndoshta ndeshjen më të mirë me fanellën e Tiranës në takimin e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Anglezi luajti rol kyç në tri golat e bardhebluve, duke realizuar një dopietë e asistuar golin e tretë.

Në përfundim të takimit, Ngo foli për mediet e pranishme në “Selman Stërmasi”. Futbollisti i Tiranës vlerësoi paraqitjen e të gjithë skuadrës duke bërë komplimente për të gjithë shokët e skuadrës.

“Ndihem shumë i gëzuar. Fituam 3-0 dhe Laçi do ta ketë shumë të vështirë në ndeshjen e kthimit, megjithëse në fushën e tyre na kanë hapur shumë probleme, por e shoh të vështirë që ta përmbysin. Pra e kemi këtë avantazh.”

“Jam ende i mërzitur që dy golat që shënuam në pjesën e parë na u anuluan, pasi nuk ishin në pozicion jashtë loje dhe rezultati do të ishte 5-0 . Gjithsesi jam i gëzuar dhe me 3-0”.

“Sot patëm lojtarë që bënë ndeshje të jashtëzakonshme, si për shembull Imami, Turtulli, Hoxhallari, Kërçiku mund të përmend të gjithë skuadrën. Edon Hasani ishte gjithashtu i mahnitshëm. Erando (Karabeci), bëri një paraqitje kapiteni, vrapoi bëri presing, kontrolloi mirë topin. Ishte e mrekullueshme”.

“Këtë vit ndryshimi ka të bëjë me mendjen. Futem në ndeshje me besimin që do të luaj mirë dhe do të shkatërroj kundërshtarët e do të fitojmë. Trajneri Mema ka qenë brilant, pasi jemi një grup i bashkuar, që ia bëjmë të vështirë kujtdo. Kjo është një fitore e madhe për Tiranën”, përfundon gjiganti i repartit ofensiv të bardhebluve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *