Ngo: Gabimet i kam lënë pas, ja çfarë ka ndryshuar tek unë

Majkëll Ngo është një ndër emrat që përflitet më së shumti te Tirana. Herë për golat e shënuar dhe herë për karakterin e tij. Sulmuesi anglez, së fundmi ka treguar formë të mirë, teksa në dy ndeshjet e fundit ndaj Kamzës dhe Flamurtarit ka gjetur golin.

26-vjeçari ka dhënë një intervistë për “Supersport”, ku ka folur për disa tema. Gjiganti i sulmit ka folur për marrëdhënien me trajnerin Ardian Mema, formën që po kalon, por edhe objektivat e Tiranës si dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Teutës.

FORMA – “Kur psikologjikisht ndihesh mirë, atëherë këtë gjë e reflekton edhe në fushë. Jam i përqendruar për të ndihmuar skuadrën. Këto janë gjërat që kanë ndryshuar te unë kohët e fundit, pasi ndihem mirë dhe po mundohem të bëj më të mirën”.

TRAJNERI MEMA – “Kur takon dikë për herë të parë, të nevojitet pak kohë për t’u njohur me të. Mema është një trajner i zoti dhe jep më të mirën për skuadrën, siç edhe unë dua të jap më të mirën time për Tiranën. Ndonjëherë në karrierën e një futbollisti ndodh që të merren vendime të gabuara, këto janë gjëra që i kam lënë pas dhe tani situata po ecin mirë. Tirana gjithashtu po arrin të fitojë dhe kjo është diçka pozitive”.

TIRANA – “Tirana është një qytet i bukur, gjithashtu dhe kjo skuadër është me histori dhe traditë. Për momentin nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por mund t’ju them se tani jam totalisht i fokusuar për të bërë maksimumin për këtë skuadër në çdo ndeshje. Nëse bën e mirë e di se çfarë do të ndodhë edhe në të ardhmen”.

OBJEKTIVAT ME EKIPIN – “Teuta është një skuadër e fortë dhe ka një sulm të rrezikshëm. Gjithsesi unë jam gati të luaj kundër tyre dhe sigurisht t’u shënoj. Ne duam të fitojmë çdo kompeticion ku marrim pjesë. Dy fazat e para nuk shkuan mirë për ne, por tani kemi rikuperuar disi dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Në Kupë, nëse vazhdojmë të fitojmë çdo ndeshje, dihet fundi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *