Ngjarja tragjike në Leister, djali i presidentit i prek të gjithë me letrën e tij

Pasditja e së shtunës ishte tragjike në Angli, konkretisht për klubin e Leisterit dhe për presidentin e saj, i cili u nda tragjikisht nga jeta, pasi helikopteri i tij u rrëzua dhe shpërtheu. Bashkë me presidentin e Leisterit humbën jetën dhe katër persona të tjerë, të cilët ndodheshin në helikopter. Lidhur me ngjarjen ka reaguar i biri i Vichai Srivaddhanaprabha, i cili ka shkruar një letër të hapur.

Në letrën e postuar, 33-vjeçari shprehet mirënjohës ndaj babait të tij dhe premton se do të vazhdojë të mbështesë projektet që i ati la fatkeqësisht përgjysmë.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e zemrës, për mbështetjet e jashtëzakonshme që keni treguar. Ajo që ndodhi, më bëri të kuptoj se sa i rëndësishëm ishte babai im, për kaq shumë njerëz në botë dhe jam prekur nga fakti se sa shumë njerëz e mbajnë në zemër atë. Jam jashtëzakonisht krenar, që kam baba një njeri të tillë. Nga ai kam trashëguar misionin e madh për të vazhduar përpara dhe këtë kam ndërmend të bëj. E di se do të marr mbështetjen e nevojshme nga të gjithë ju për ta bërë të mundur këtë gjë, ndaj ju jam shumë mirënjohës për mesazhet dhe fjalët e ngrohta. Babai më ka mësuar të jem i fortë dhe të kujdesem për familjen. Ai më mësonte shumë gjëra për jetën dhe punën dhe e bëntë në një mënyrë që mos të dukeshin si leksione të lodhshme. Ai ishte mentori dhe modeli im në jetë. Sot më ka lënë këtë trashëgimi dhe do të bëj gjithçka, për të çuar përpara vizionin dhe ëndrrat e tij. Familja ime dhe unë duam t’ju falënderojmë edhe njëherë të gjithëve, për fjalët e ngrohta dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë këtyre ditëve të vështira. Më mungon babi, me gjithë zemër”, mbylli letrën e tij 33-vjeçari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *