Nga vetëofrimi për United te ai për Milanin, Honda e përdor “Twitter”-in për të gjetur ekip

Në një kohë kur Milan është në krizë loje dhe rezultatesh, një ish-futbollist shtrin dorën për t’i ndihmuar. Keisuke Honda momentalisht është pa ekip dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për një rikthim te ekipi nga Milano, fanellën e të cilëve e ka mbajtur për 3 vite, gjatë periudhës 2014-2017.

Sulmuesi është vetëofruar për Milanin me anë të një postimi të bërë në “Twitter”, ku shkruan: “Gjithnjë kam dashur t’ju ndihmoj. Më telefononi kur t’ju nevojitem”. Ndërkohë, kujtojmë se japonezi ka bërë edhe një postim tjetër më parë, ku kërkon të bashkohet me ekipin anglez të Manchester United, madje shprehej se mund të luante edhe pa para për ta.

Me sa duket Honda dëshiron të luajë në kampionate elitare dhe është duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që këto ekipe po kalojnë, për t’u rikthyer kështu edhe njëheherë në skenën europiane./Sport Ekspres/