Nga situata e Dibala te Ronaldo, Alegri “skanon” dhe sqaron

Juventus pret Sasuolon të dielën në mesditë dhe trajneri Alegri ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes. Besimi se Ronaldo do të gjejë golin e parë italian, situata e Paulo Dibala dhe …

CR7 – “Duhet të jemi pak fatalistë, në ndeshjet e para Ronaldo ka gjuajtur shumë në portë, por nuk e ka gjetur golin. Ai ka punuar mirë dhe besoj se nesër do të shënojë përballë Sasuolos. Për çfarë ka bërë këtë sezon do ia jepja çmimin e ‘FIFA Best Player’, pa i hequr asnjë meritë Luka Modriç.”

Dibala – “Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si u fut në fushë në Parma. Ai duhet të bëjë të njëjtën gjë me lojtarët e tjerë, të stërvitet dhe të gjejë formën e duhur. Kam një kontingjent të rëndësishëm dhe kam shumë lojtarë teknik, të cilët duhet t’i lë jashtë dhe t’i përdor si zëvendësues, sepse luajnë vetëm 14 lojtarë.

Dibala nuk ka luajtur për shkaqe teknike. Askush nuk i diskuton cilësitë e Paulos, por ekziston një problem ekuilibri. Nëse luajnë Dibala, Ronaldo dhe Manxhukiç bashkë nevojitet një sakrificë e madhe dhe vuajmë në fazën difensive. Për më tepër, në tre ndeshjet e para kemi lënë hapësira të mëdha mbrapa. Dibala duhet të fitojë vendin në formacion, duke punuar fort në stërvitje.

“Nuk njoh ndonjë mënyrë tjetër. Presioni po shtohet kundrejt tij dhe kjo nuk i bën mirë, sepse nëse nesër luan dhe nuk bën një ndeshje të mirë, të gjithë do ta ‘masakrojnë’. Jeni të parët që e doni në fushë dhe pastaj e ‘masakroni’ me kritika.”

Sasuolo – “Përveç Matuidit, të gjithë ata që kanë luajtur në dy ndeshjet me kombëtaret vështirë të luajnë të dielën. Shezni do të jetë në portë, por Perin po punon mirë dhe do të luajë së shpejti. Kielini mund të pushojë, sepse Benatia dhe Rugani janë në formë. Pjaniç nuk ka probleme, por mund ta nisë nga pankina. Mendoj që do të jetë momenti i Emre Çan për ta nisur nga fillimi, Manxhukiç është i sigurtë, ndërsa nuk e kam vendosur akoma për Kedirën.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *