Nga Sena te Shumaker, Hamilton zbulon objektivin e radhës

Luis Hamilton është një nga pilotët më të talentuar dhe fitues në botën e Formula 1. 33-vjeçari i Mercedezit ka fituar katër tituj kampion, është shumë afër titullit të pestë, ndërkohë që numëron dhe 71 fitore.

Hamilton mban rekordin absolut si piloti me numrin më të madh të nisjeve nga vendi i parë (80 pole-position), ndërsa flet për legjendat e këtij sporti si: Airton Sena dhe Majkëll Shumaker.

I pari vdiq në moshën 34-vjeçare, ndërsa i dyti vazhdon të luftojë për garën më të rëndësishme të “karrierës”, atë me jetën. Braziliani ka fituar tre tituj kampionë, ndërsa gjermani shtatë të tillë. Të dy kanë qenë ndër pilotët më të talentuar të këtij sporti. Hamilton ka barazuar dhe kaluar rekordet e Senës, ndërsa do të bëjë të pamundurën për të arritur ato të Shumaker. Një gjë e vështirë, pasi piloti i famshëm i Ferrarit ka shtatë tituj kampionë dhe 20 gara të fituara më shumë se Hamilton, por e ardhmja do përcaktojë se deri ku mund të arrijë britaniku.

Shumaker dhe Sena

E nisa me qëllimin për të arritur Airton Senën, pilotin brazilian dhe idhullin tim. Ai vdiq në vitin 1994 dhe unë barazova rekordin e tij para tre vitesh. Kështu që mund të thuhet se që nga ai moment, unë ndihem si në një territor të pa eksploruar. Kemi arritur të fitojmë tituj të tjerë, ose më mirë, një tjetër titull dhe jemi në garë për titullin e radhës. Kemi arritur fitore të tjera dhe ‘pole-position’ të tjerë. Dua të them se rekordet e Majkëll Shumaker janë impresionuese dhe më duken ekstremisht të vështira për t’u thyer. Unë do të jem në aktivitet dhe për një farë kohe, kështu që do të vazhdoj të punoj fort, të shijoj atë çfarë më pëlqen të bëj dhe të shohim në fund se ku mund të arrijmë”, përfundon piloti britanik i Mercedezit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *