Nga Rama tek Ademi e De Biazi: Izmir Smajlaj, hero!

0

Delegacioni shqiptar që mori pjesë në Kampionatin Evropian të sallave të mbyllura, kryesuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi dhe anëtari i kryesisë Oltion Luli, ka mbërritur në Rinas orët e para të mëngjesit të sotëm, i pritur nga të afërm e tifozë entuziastë. Pjesë e këtij delegacioni kanë qenë dhe familjarët e Izmirit, veçanërisht i ati Muhameti, për të cilin Kampioni i Evropës pat deklaruar se e ka vazhduar sportin prej tij.

Shqiptarët, por në mënyrë të veçantë kosovarët, janë ndjerë të gjithë krenar me Izmir Smajlajn. Jo vetëm për medaljen e tij të artë në kërcimin së gjati në Kampionatin Evropian të sallave të mbyllura në Beograd, por dhe për shqiponjën që ai bëri në momentin e daljes në vendin e parë, që fatkeqësisht serbët e kanë quajtur provokim. Por mbi të gjitha nuk kanë munguar përshëndetjet anembanë vendit për Izmir Smajlajn, shkodrani që veçanërisht bëri krenar qytetin e tij, i cili kështu shtoi dy kampion Evrope (së bashku me të dhe Erkand Qerimajn), si dhe një kampion Bote si Elis Guri. Por në tërësi nuk kanë munguar dhe përshëndetjet e politikanëve për të…

Urimi i kryeministrit Rama

Në publikimin e parë në rrjetet sociale për këtë të dielë, kryeministri i vendit, Edi Rama, ka përgëzuar Izmir Smajlajn për suksesin e arritur në Beograd. Smajlaj, siç dihet, është shpallur Kampion Evrope në kërcim së gjati në garën e sallave të mbyllura të zhvilluar në Serbi duke thyer edhe rekordin kombëtar të mbajtur më herët prej vet atij. “Fantastik” e konsideron kryeministri Rama, kampionin e parë evropian në historinë e atletikës shqiptare, i cili ka ngritur në këmbë stadiumin e Beogradit nën tingujt e himnit tonë kombëtar. “Faleminderit nga zemra kampion”, mbyll statusin e tij Rama.

Presidenti i KOKSH, Bezhani

“Sporti shqiptar arriti një tjetër rezultat fantastik në arenën ndërkombëtare. Atleti shkodran Izmir Smajlaj mori medaljen e artë në kërcim së gjati në Kampionatin Evropian duke vendosur edhe rekord kombëtar (kërceu 8.08 metra), një rezultat që bën krenar të gjithë, Izmirin të parin për këtë triumf. Një sportist që ka punuar prej kohësh për këtë rezultat duke treguar se pasioni, dëshira, vullneti dhe dashuria për këtë sport mund të shpërblehen një ditë. Përgëzime Izmir, bashkë me trajnerin tënd Vildan Tufi, urime edhe Federatës së Atletikës që vazhdon të jetë një “mbretëreshë”. Një shembull që duhet të ndiqet, pasi ai mbetet një sportist që premton shumë edhe për të ardhmen”, nënvizon në statusin e tij në facebook presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani

Izmir Smajlaj përshëndetet edhe nga trajneri De Biazi

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë në futboll, Xhani De Biazi, nuk ka munguar të urojë Kampionin më të ri të Evropës në atletikë, Izmir Smajlajn. E kjo për triumfin historik arritur prej tij në Beograd të shtunën. Dhe mesazhi i De Biazit është ky: “Izmir të përshëndes! Jam shumë i lumtur për suksesin tënd të jashtëzakonshëm të arritur në Beograd. Përqafime. FORCA SHQIPËRIA!”

S’mungon kryebashkiakja Ademi

“Faleminderit Izmir Smajlaj!”. Kështu do ta niste statusin e saj në facebook kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila si qytetarja e parë e kryeqendrës së Veriut është ndjerë mirë për Kampionin më të ri të Evropës për atletikën shqiptare në veçanti dhe për sportin shqiptar në tërësi. “Zgjove në mendjen e gjithsecilit se Shkodra mbetet krenaria e kombit. Medalja është e jotja, por gëzimi i mbetet gjithë shqiptarëve”, thotë Ademi. “Krenar p?r Ty! Shkodra dhe e gjithë Shqipëria të thotë faleminderit”, përfundon Ademi.

 

Smajlaj pas medaljes: Faleminderit të gjithëve

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dje lka bërë dhe gazetarin, teksa ka shpërndarë direkt një prononcim të Izmir Smajlajt menjëherë pasi shkodrani ka marrë medaljen e artë. “Nuk di se si ta përshkruaj këtë situatë. Jam shumë i emocionuar. Ndihem mirë që i kam bërë të gjithë shqiptarët krenar. Falënderoj përzemërsisht të gjithë shqiptarët për mbështetjen e tyre, familjarët e mi, trajnerin, por dhe Federatën Shqiptare të Atletikës për gjithçka që ka bërë për mua. Jo vetëm kaq, falënderoj ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka. Po pse jo dhe të gjithë ato që më duartrokitën në sallën ku u mor medalja. Nuk duhet të harroj mediet, të cilat na rrinë pranë në çdo kohë”, ka theksuar Smajlaj menjëherë pas marrjes së medaljes.

 

Basketbolli dhe volejbolli urojnë Kampionin e Evropës

Për Izmir Smajlajn nuk kanë munguar dhe urimet nga Federatat Sportive. Kështu ka ndodhur me Federatën Shqiptare të Basketbollit, që nëpërmjet një mesazhi në faqen e saj në facebook ka uruar: “Federata Shqiptare e Basketbollit I shpreh urimet më të mira dhe suksese të mëtejshme Kampionit të Evropës, Izmir Smajlaj. Të futesh në garë me qëllimin e fitores është treçereku i punës dhe më pas është rezultati ai që të ndjek. Për çdo sportist të këtij vendi duhet të jemi krenarë dhe për çdo rezultat duhet të themi FITORE. Askush përveç nesh që jetojmë këtu nuk di sa e madhe është euforia e të qënit kampion në arenën ndërkombëtare. Asgjë nuk është e pamundur nëse nuk mbështesim njeri-tjetrin pavarësisht gjeografisë sportive! Fjalët dalin vetë kur zemra të bëhet mal”. Ndërkohë edhe Federata Shqiptare e Volejbollit nuk ka mbetur më pas, teksa ka uruar nëpërmjet faqes së saj në facebook Kampionin e Evropës, Izmir Smajlaj. Urime pa fund atletit Izmir Smajlaj për paraqitjen e shkëlqyer dhe medaljen e artë që fitoi në Kampionatin Evropian të Atletikës. Një kampion i vërtetë, që përcolli emocione të mëdha tek të gjithë shqiptarët me garën e tij. Një urim të veçantë i përcjell atletit edhe Federata Shqiptare e Volejbollit, madje jo vetëm atij, por edhe trajnerit Vildan Tufi, si dhe Federatës Shqiptare të Atletikës për punën e mrekullueshme që kanë bërë, e cila ka sjellë këto rezultate për të ngritur sërish flamurin kuqezi në të tjera aktivitete ndërkombëtare. Urime kampion”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image