Nga Rama te ministri i Kosovës, politika mbledh fonde për gjobat e Xhakës e Shaqirit

FIFA nuk i pezulloi Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për gjestin e shqiponjës pas golave kundër Serbisë, por u vendosi nga një gjobë, me 10 mijë franga zvicerane për secilin.

Ditët e fundit në platformën e donacioneve GoFundMe një person me banim në Nju Jork nisi grumbullimin e donacioneve për të shlyer gjobën e shqiptarëve, por edhe kapitenit Lihshtajner (5 mijë franga, edhe ai bëri shqiponjën).

Deri tani janë mbledhur më shumë e gjysma e 25.000 dollarëve që është objektivi, ndërsa gjithë paratë do të shkojnë për bamirësi, nëse Federata Zvicerane nuk i pranon.

Edhe politika bëhet pjesë e lëvizjes pro Xhaka e Shaqiri. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se tani është hapur edhe një llogari bankare ku përmes saj, secili mund të japë një kontribut simbolik për të paguar gjobën e FIFA-s ndaj Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit.

”MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit”, ka shkruar Rama.

”Shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në Raiffeisen Bank është hapur llogaria MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA.

Kjo llogari u hap falë nxitjes së shumë miqve të këtij rrjeti social nga e gjithë bota, si falënderim e mirënjohje për dy sportistët që ngritën peshë në një gëzim sportiv miliona shqiptarë”.

Edhe në Kosovë ka pasur një gjest të veçantë, sepse Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka vendosur që një pagë mujore të tij ta dhurojë për të kontribuar që futbollistët kosovarë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka të paguajnë gjobat e dhëna nga FIFA.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër-Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë”.

“Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndjehem i obliguar që një pagë timen ta ndajë për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni, djema e na bëni krenar!”, ka thënë Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *