Nga Partizani te Skënderbeu, Gjimnastika shpall fituesit e pranverës

0

 

 

Federata Shqiptare e Gjimnastikës organizoi për dy ditë me radhë Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës Artistike dhe Aerobike

 

Florian Behlula

 

Megjithëse fondi grant u akordua me 5 muaj me vonesë, Federata Shqiptare e Gjimnastikës i organizoi me sukses dy aktivitetet e rëndësishme të kalendarit të saj sportiv, Kampionatet Kombëtare të Gjimnastikës artistike për meshkuj e femra. Aktivitetet u zhvilluan në Tiranë, ku morën pjesë klubet dhe shoqatat anëtare të FSHGJ-së, Partizani, Vllaznia, Tomori, Skënderbeu, Besëlidhja dhe 7 shoqata të sportit të gjimnastikës.

Gjimnastika Artistike – Në ditën e parë u zhvillua gara e Gjimnastikës Artistike për të gjithë grupmoshat. Gara e Gjimnastikës Artistike u zhvillua në ambientet e Palestrës “Partizani”, e vetmja sallë gjimnastike e cila sa vjen e amortizohet, duke mos siguruar standardet e kërkuara për zhvillimin e aktivitetit. Sportistët e klubeve pjesëmarrëse paraqitën një nivel të mirë ekzekutimi të vështirësive të larta të elementeve gjimnastikor, veçanërisht sportistet e rritura femra e meshkuj, si saltot dyshe e rrotullimet me kthime 1080 gradë në ushtrimet me trup të lirë, daljet me salto dyshe e rrotullime mbi 720 gradë në veglat përkatëse. Puna e përkushtuar e trajnerëve të gjimnastikës, Vladimir Limaj (Vllaznia), Migena Panariti (Skënderbeu), Ilir Muço (Partizani), Edison Konomi (Tomori) etj., e bëjnë këtë sport të vështirë dhe të bukur të arrijë nivele të kënaqshme për kushtet që shteti ofron. Gjyqtaria e garës e përbërë nga emra të njohur të gjimnastikës shqiptare si Bujar Bujari, Natasha Xhani, Veselin Zako , Lavdie Shehu, Ilirjan Andoni etj., gjykuan me kompetencë sipas rregullores ndërkombëtare të gjimnastikës. Në përfundim të aktivitetit të Gjimnastikës Artistike për Meshkuj të rritur Kampion Kombëtar u shpall Partizani me trajner Ilir Muço. Kampion Kombëtar në 5 garësh u shpall Pandeli Kondi i Partizanit me 6400 pikë. Për të rinj Tomori me trajner Edison Ikonomi fitoi titullin kampion, ndërsa në 5 garësh gjimnasti Kleandro Malka me 4005 pikë. Për paratërinj Kampion Kombëtar doli Tomori, ndërsa si individ Oltion Pervata i Partizanit me 4655 pikë. Për femra të rritura kampion u shpall Vllaznia me trajner Vladimir Limaj, ndërsa Kampione Kombëtare në 4 garësh gjimnastja Oneda Reçi e Vllaznisë me 5070 pikë, e cila paraqiti një nivel të lartë ekzekutimi të ushtrimeve në vegla. Për të reja dhe paratëreja fitues u shpall Partizani. Megia Hamza e Partizanit për të reja dhe Françeska Kodra e Skënderbeut u shpallën kampione në 4 garësh.

Gjimnastika Aerobike – Në ditën e dytë në një atmosferë shumë festive u zhvillua Kampionati Kombëtar i Gjimnastikës Aerobike për të gjithë grup moshat po në Tiranë, në arenën e Cirkut Kombëtar. Mbi 200 sportistë meshkuj e femra performuan me ushtrime të ideuara nga trajnerët përkatës, me përmbajte teknike, koreografi, sinkronizim ekzekutim e muzikë të gjetur koordinuar me lëvizjet. Në përfundim vendin e parë në “ekzekutim teknik” e fitoi Shoqata “Sportet Akrobatike Shqiptare” me trajnere Silvana Dumi. Vendin e parë për “idenë më të mirë koreografike” e fitoi shoqata “Mig-Gym” me trajnere Sueda Hoxha. Vendin e parë për “sinkronizim i lëvizjeve me elementet gjimnastikor” e zuri Shoqata “Sky 07 Gym”.  Vendin e parë për “pjesëmarrjen më të madhe të fëmijëve dhe për gjetjen artistike e mori “shoqata “Jump Style”.  Vlerësime ekipet morën dhe për veshjet më të bukura, muzikën më të gjetur. Në Aerobinë Sportive, kampione u shpall Isabela Panariti e Skënderbeut, e cila mbylli dhe karrierën e saj sportive. Kësisoj, Federata Shqiptare e Gjimnastikës i përfundoi me sukses aktivitetet kombëtare të pranverës dhe përgatit ekipet për aktivitetet e ardhshme gjimnastikore. Nga ana e drejtuesve të FSHGJ-së, bëhet apel që ky sport elitar prej 65 vitesh në vendin tonë të mbështetet financiarisht nga shteti, pasi fondi për gjimnastikën çdo vit po pëson ulje të ndjeshme.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here