Nga Nikaragua në Krujë, Pablo Gajego tregon Shqipërinë: Vend i prapambetur, futboll pa taktikë

Pablo Gajego është një futbollist 25-vjeçar nga Spanja, emri i të cilit ishte i panjohur në Shqipëri deri në fund të gushtit të këtij viti dhe me shumë gjasa ende shumë tifozë shqiptarë nuk e njohin.
Spanjolli i vetëm në Superiore ka ardhur pa zhurmë në fund të merkatos dhe firmosi për Kastriotin, klub modest dhe pa vëmendje mediatike, duke mos pasur pretendime madhore dhe as një tifozeri të panumërt nga pas, edhe për faktin se këtë sezon nuk luan fare në Krujë.

Gajego ka një trajektore të çuditshme në karrierë, sepse ka luajtur për shumë vite në ligat e ulëta në Spanjë, shkoi vjet te Larisa në Greqi dhe më pas hodhi një hap të çuditshëm, duke shkuar në Nikaragua. Me pas, në verë u kthye në Greqi, por nuk firmosi dot dhe u transferua në Shqipëri, ku ka gjetur një futboll të dobët taktikisht, por të fortë fizikisht dhe kjo e ka vënë në një provë të vështirë, siç tregon mesfushori për gazetarin spanjoll Hoakin Pinjero.

SHQIPËRIA – “Duhej të firmosja në Greqi, por ndodhën disa gjëra që nuk ma lejuan këtë gjë. Vend i vështirë për të luajtur futboll Greqia. Në Shqipëri njerëzit janë shumë të dhënë pas futbollit, sidomos derbi Tirana-Partizani është një festë sportive”.

FUTBOLLI I SUPERIORES – “Shumë ndryshe nga ai në Spanjë, Greqi e Nikaragua. Është futboll shumë fizik, me mbulim të hekurt dhe kam vuajtur jo pak për t’u ambientuar. Krahasim nuk bëj dot, e vështirë, sepse në krahasim me Spanjën taktika është në nivelin e Kategorisë së tretë, por teknika është e mirë dhe fizikisht është futboll superior. Kampionati shqiptar ka nivel më të lartë sesa mendon kur dëgjon fjalën Shqipëri”.

JETA NË SHQIPËRI – “Kruja është qytet i bukur, malor. Jeta është e thjeshtë, nuk ka shumë gjëra të cilat mund të të hutojnë, mik të afërt kam brazilianin Roxher. Shqipëria ka pasur probleme në të shkuarën dhe ato ekzistojnë ende, vihet re që si vend është ende larg Europës”.

E ARDHMJA – “Tani mendoj për Kastriotin, por zemrën e kam te klubi i vendlindjes, Kaserenjo. Po ashtu, shpresoj të kthehet tek Esteli, klubi më i madh në Nikaragua”.

KURIOZITETI – “Besimi fetar është shumë i veçantë në këto vende, veçanërisht për dikë që vjen nga Spanja, ku është çështje më individuale. Në Greqi, kur luaja te Larisa, shkonim në një dhomë private para çdo ndeshjeje; në Nikaragua, luteshim gjithmonë para stërvitjeve ose ndeshjeve, dhe këtu, në Shqipëri, janë shumicë myslimane dhe mbeta i habitur kur imami thërriste për lutje me altoparlantë. Janë gjëra të ndryshme, të çuditshme, për dikë që jeton në Spanjë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *