Nga Musolli, te Rexhinaldo e Luftëtari: Cungu flet hapur

0

Armando Cungu ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Luftëtarin. nuk kishte se si tekniku shkodran të mos komentonte dhe largimin e Besar Musollit, i cili mëngjesin ka shkëputur bashkëpunimin me klubin verilindor.

Numri një i stolit kuksian analizon situatën para ndeshjes me Luftëtarin, por nuk lë jashtë vëmendjen edhe situata me Rexhinaldon, i cili u bë protagonist në ndeshjen e fundit.

Duke parë që kundërshtari është në nevojë për pikë, prini që kundërshtari të jetë një ‘kockë e fortë’?
-Luftëtari është ‘kockë e fortë’ si çdo ekip tjetër në Superiore. Kundërshtari ka nevojë për pikë, ashtu sikurse edhe ne kemi nevojë për pikë. Nuk shoh asnjë skuadër në kampionat që nuk ka nevojë për pikë. Sa i përket rrezikut, jemi përgatitur për këtë ndeshje, natyrshëm që nuk do të jetë e lehtë për ne. Edhe para një jave ishim në të njëjtën situatë, ku Kamza ishte për mbijetesë, ishte në të njëjtat pozita. Ne bëmë detyrën tonë dhe arritëm atë objektiv që ishte fitorja. Nuk besoj se duhet të ketë ndonjë ndryshim ndeshja nga ndeshja e Kamzës.

Do ju kënaqte një barazim në Gjirokastër?
-Ne futemi në çdo ndeshe për të marrë 3 pikë, në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari. Ky është objektivi ynë edhe në këtë përballje. Në futboll nuk mund ta parashikojmë sot se si mund të shkojë ndeshja. Ne jemi përgatitur për të marrë fitoren dhe do e kërkojmë me çdo kusht.

A mos ka ardhur koha që Kukësi të bëjë atë hapin e madh që të gjithë presin?
-Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe duhet të fokusohemi te takimi i radhës dhe të bëjmë të pamundurën për të marrë 3 pikët. Më pas do të kemi të njëjtin objektiv ndeshje pas ndeshje.

Keni ndonjë koment për largimin e Musollit?
-Të jemi sinqertë unë sapo e lash stërvitjen erdha këtu dhe nuk jam në dijeni të kësaj situate. Me aq sa u informova shkurtimisht, mësova se mes dy palëve është arritur një marrëveshja që lojtari të lihet të rehabilitohet në Kosovë dhe më pas do të jetë dera e hapur për të, për të qenë pjesë e Kukësit.

A u konsultuan me ju për këtë situatë para se vendosej për largimin e tij?
-Përderisa bien dakord të dyja palët. Nuk besoj se ka diçka për t’u shqetësuar. Nuk mendoj se klubet shqiptare e kanë luksin për të pasur staf të veçantë për lojtarët që vijnë pas trumave të tilla. Ka nevojë për një trajtim më të specializuar dhe për një trajner personal, që të merret me të, për ta kthyer sa më shpejt në gjendjen e tij më të mirë fizike. Kjo ka qenë ajo që drejtuesit dhe lojtari kanë arritur në këtë marrëveshje.

Mund të ndikojë kjo lëvizje negativisht te ana psikologjike dhe morale e skuadrës, pasi nuk është e para herë që ndodh kjo gjë?
-Nuk marr përsipër që të komentoj ngjarje, kur unë nuk kam qenë pjesë e këtij klubi. Mund të flas për periudhën kur kam qenë këtu. Nuk e di çka ndodhur në të shkuarën, pasi mund të gaboj nëse flas. Në rastin e Musolli, mund të them fjalët më të mira si djalë. E kam pasur fatin që ta kem edhe në sezonin e parë të Kukësit në Superiore. E ka nisur që atëherë me Kukësin dhe ka kontribuar maksimalisht, duke dhënë gjithçka dhe duke fituar çdo gjë. Mund të flas fjalët maksimale si djalë dhe si sportist. Palët e kanë lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen mund të ketë sërish bashkëpunim. Kjo më lë shije të mirë.

Te futbollistët mund të ndikojë kjo gjë?
-Nuk mendoj se do të ndikojë, pasi kur bëhet një marrëveshje mes zotërinjsh, lihet çdo gjë hapur për të bashkëpunuar. Nuk mendoj se mund të ndikojë. Sapo kam ardhur dhe më është njoftuar marrëveshja, ndaj nuk mund të jap më tepër konkluzione apo mendime.

A ka një bllokim të manovrës sulmuese, pasi Rexhinaldo ka shënuar vetëm një gol kohët e fundit. Si do zgjidhet?
-Është një problem i vjetër te ne. Por më gëzon fakti që kanë kontribuar edhe lojtarët e tjerë, jo vetëm Rexhinaldo. Kanë kontribuar edhe mbrojtësit, por edhe brazilian Uilliam. Me tre golat e tij na ka dhënë shtatë pikë. Presim kontributin e çdo lojtari, mundësitë janë. Ekipi po vjen në rritje nga dita në ditë, lojtarët po gjejnë formën. Shpresoj që në vazhdim të bëhen protagonistë edhe ata.

Si është situata me Rexhinaldon?
-Më vjen që çdo gjë që ndodh me Cungun hapen gazetat. Ishte një keqkuptim, ai nuk kishte asgjë me mua. E kishte me një kolegun e vet, ishte keqkuptim që u sqarua pas ndeshjes. Nuk ka pasur asgjë për t’u komentuar. Meqë m’u dha rasti, dua të uroj Rexhinaldon që është bërë baba, pasi është shtuar me djalë.

Si komentohet në ekip situatat e tij. Më shumë dua të qëndroj te situata e përsëritura…
-Ato na shqetësojnë ne. Nuk më pëlqen të shohim duke u marrë me ne për gjëra që ndodhin në çdo ekip futbolli, madje edhe më të rënda dhe kamuflohen. Janë gjëra normale dhe të kalueshme. Edhe në familje kemi grindje. Nuk është diçka tragjike. Po të ishte e tillë nuk do të kishte vend për asnjë sportist në klub.

Si është gjendja e skuadrës?
-Kemi rikthime, por duhet të shohim të menaxhojmë situatën dhe të mundohemi të ruajmë lojtarët për të mos agravuar gjendjen e tyre, por edhe për të marrë më të mirën e futbollistëve.

Skema 3-4-3 qëlloi efikase me Kamzën. Do e ndryshoni?
-Kemi provuar lëvizje dhe përfundimisht do e vendosim nesër se si do të rreshtohet skuadra në fushë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.