Nga mbrojtja në sulm, tre goditje të mëdha për Besën

Besa e Kavajës ka vite që është në errësirë, por duket se këtë vit e ka vendosur që të tentojë kthimin në Superiore, aty ku ka lënë gjurmë historikisht.

Klubi kavajas ka nisur punën për rindërtimin e ekipit për sezonin e ri dhe tashmë ka arritur akordin me tre futbollistë mjaft cilësorë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Franci Bufazi, mesfushorin Donald Mëllugja dhe sulmuesin Albi Çekiçi.

32-vjeçari Bufazi ka shumë eksperiencë në Kategorinë e Parë dhe sezonin e shkuar luajti në Superiore me Lushnjën, duke qenë titullar në 14 ndeshje në Superiore.

Mesfushori 23-vjeçar Mëllugja është pjesë e Burrelit prej vitesh dhe vetëm në fazën e parë të kampionatit të shkuar luajti për Ilirinë, ndërkohë që luan titullar prej moshës 18-vjeçare dhe ka fituar shumë eksperiencë, duke qenë edhe kapiten në Burrel.

Në fund, qershia mbi tortë është Albi Çekiçi, autor i 17 golave në kampion me Pogradecin sezonin e fundit, një futbollist shumë interesant, që në Superiore askush nuk ia ka hedhur sytë.

Me këto përforcime, por edhe të tjera në vazhdim (do të qëndrojë edhe disa nga lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar), është e qartë se presidenti Nexhat Bizhdili dhe kryetari i Bashkisë Isa Sakja e kanë vendosur që ta kthejnë Besën në elitë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *