Nga Malajzia në Tiranë, “vrasësi” Sukaj nuk e kishte harruar të njëjtin film

0

Anton Cicani

Kur ishim fëmijë, ndodhte që na pëlqente shumë një film dhe e fiksonim atë duke mësuar edhe disa fjali kyçe apo skena, madje duke i prodhuar të miksuara nga imagjinata jonë. Ne, në rolin e aktorit kryesor, e “të mirit” i cili gjithmonë do të dilte fitues… E merrnim shumë seriozisht, aq saqë edhe prindërit shpesh na thonin “mos shih shumë filma”…
Xhevahir Sukaj ndoshta ka “sindromën” e Piter Panit, atë të djaloshit i cili nuk u rrit kurrë, madje jetoi ashtu deri në fund, edhe pse për pak kohë u bë i shëndoshë, vuri syze dhe, madje, e humbi atë që kishte përjetuar dikur në fëmijërinë e përjetshme. U desh pikërisht pluhuri i Zanës që t’i rikthente magjinë dhe rininë. E teksa rinisi të fluturonte, e bëri edhe pse i shëndoshë. Fundja, ndihej i lehtë në shpirtin e tij dhe në mendjen e tij. Një përrallë e bukur ajo e Piter Panit, pikërisht ai film që të gjithë kemi parë. Nga fantazia në realitet, diferenca është shumë e vogël, aq sa shpesh e padukshme. Por, nga realiteti në… realitet, mjafton sekonda për të ndryshuar gjithçka dhe këtë herë jo duke mbyllur sytë, por duke kërcyer lart, njësoj si fluturimi i “Piter Panit”, duke goditur me kokë dhe duke e dërguar topin në rrjetën e Ilion Likës. E të mendosh që teksa luhej derbi, në Perak, Malajzinë e largët, plot 9645 km distancë, ora shënonte 02:00 e mëngjesit dhe ndoshta të gjithë banorët ishin në gjumë. Në atë gjumë që do të ishte edhe ai, “Xhevoja”, por fati ndonjëherë kërkon që ti të jesh diku tjetër, duke ndihmuar ekipin tënd në një sukses të rëndësishëm dhe me peshë, ndaj Tiranës, në derbi.
Goli i katërt ndaj Tiranës brenda dy vjetësh në pesë ndeshje. Praktikisht, nëse deri përpara disa kohësh heroi dhe idhulli i tifozerisë së kuqe ishte Nderim Nexhipi, tashmë në zemrat e tyre është ai, Xhevahir Sukaj. Dhe, këtë herë, shprehja “me ken shkodran, tana i ban!” ndoshta nuk është e keqpërdorur. Është vendi, momenti dhe koha.

Misioni i lënë përgjysmë – Kur i hipi atij avioni drejt botës aziatike, verën e shkuar, Xhevahir Sukaj e dinte brenda tij se do të kthehej në Shqipëri dhe do të përpiqej që të kalonte atë hidhërim të përjetuar në fund të sezonit të shkuar, teksa shihte tifozët e kuq në lot për një titull të humbur në finish. E dinte që misioni ishte lënë përgjysmë dhe e dinte se ndoshta në Malajzi bëri një “autogol”. Nuk ishte gati për anonimitet, apo plazhet tajlandeze… i mungonte adrenalina dhe në janar të këtij viti vendosi të priste biletën, duke gjetur “shtëpinë e tij” të kuqe. Aty ku e pritën krahëhapur. Sigurisht, Vllaznia bëri “letra false” për ta pasur në gjirin e saj, por Xhevoja preferoi të shpërblente besimin e një klubi me të cilin u dashurua në shikim të parë dhe duke besuar se ky mund të ishte sezoni i revanshit.

Basti i Starovës – “Le të kthehet, do të na duhet! Në mos tani, në fund të sezonit”. Mesazhi i trajnerit Sulejman Starova ishte një “urdhër” për Gazmend Demin, i cili menjëherë firmosi çekun e bardhë. Sigurisht, shkodrani nuk kërkoi ndonjë rrugë kushedi, por vendosi që këtë herë rroga dhe përfitimet të ishin në bazë të paraqitjeve. Fundja, Sukaj kërkonte vetëm të ndihmonte të kuqtë. Stërvitje, stërvitje dhe stërvitje… Djersë, mund dhe shumë sakrificë deri në ditën e shënuar, derbin më të rëndësishëm. Thuajse 3 muaj duke kërkuar formën që kishte humbur me transferimin në Malajzi, në një kampionat ku të stërvitesh në 36 gradë nuk të ndihmon kurrsesi. Starova e dinte se do të vinte dita që Sukaj do të ishte vendimtar dhe e fitoi këtë bast. Kampionati i Sukajt mund të quhet i mbyllur edhe tani, por sigurisht që shkodrani thjesht sa ka dërguar një mesazh: atë të Piter Panit. Për një sulmues që nuk kishte harruar të fluturonte, por thjesht nuk e kishte bërë prej kohësh. Por, edhe atë që kemi mësuar që fëmijë: nëse një film e ke parë dhe riparë, atëherë di edhe të interpretosh skenat. Ndoshta, filmin e njihte përmendësh edhe ai, Arbnor Fejzullahu, që një vit më parë, realizoi në derbi. Këtë herë, dha kromimin perfekt për t’i dhënë mundësi Sukajt që të linte vulën e tij. Ajo skenë që e pa duke kërcyer më lart se mbrojtësi i Tiranës dhe ta dërgojë topin në rrjetë. Bark, ose jo bark, ndonjëherë “1+1” është më mirë se sa të thuash “2”, fundja mjafton të kesh kokën në vend…

Postimi
“Në kohën e duhur, në vendin e
duhur”, urime edhe nga Sepahani
Xhevahir Sukaj ka postuar në faqen e tij në Instagram golin e shënuar ndaj Tiranës, me një video, teksa diçitura që shoqëronte postimin shkruante “në kohën e duhur, në vendin e duhur”. Mes shumë mesazheve të urimit, edhe tifozë nga Irani dhe Sepahani, ku është ndarë mjaft mirë. Por, edhe disa tifozë nga Malajzia me Perakun, ku luajti në fund përpara se të vishej sërish i kuq.

Idhull i kuq/ Shkodrani kalon edhe
Nexhipin, shkon 4 gola në derbi
Një gol për t’u hyrë përfundimisht në zemrën e tifozerisë së Partizanit, për t’i dhënë 3 pikët deçizive dhe të rëndësishme ekipit të kuq, por sidomos edhe për të kaluar një futbollist që në dy sezonet e tij me kryeqytetasit kishte bërë Tiranën të “qante”. Po flasim për Nderim Nexhipin, që është ndalur në 3 gola të realizuar ndaj skuadrës bardheblu, në katër përballje të zhvilluara. Me golin e djeshëm, Sukaj e ka kaluar dhe shkon në 4 gola në 5 përballje me Tiranën, teksa bilanci i tij flet për dy barazime dhe tre fitore ndaj ekipit të Tiranës. Ndërkaq, Nexhipi e mbylli aventurën e tij në derbin ndaj Tiranës me 2 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.