Nga Luftëtari iku për shkakun e “Murinjos”, Hilgen flet për ekipin e ri: Këtu është “Rugby” e para pastaj futbolli

Nga Klaudio Ndreca

Cerezo Hilgen ishte një nga prurjet e Luftëtarit dhe pritej nga tifozët që të shihej me shumë vëmendje. Por futbollisti holandez do të largohej menjëherë nga bluzinjtë për shkakun e sjelljes së pakuptueshme të trajnerit Marantas.

Asokohe duke drejtuar Luftëtarin, tekniku që vinte nga ligat e ulëta në Greqi do të shkatërronte jo pak ambientin e futbollit në Gjirokastër. Marrëdhënia që kishte formuar menjëherë me Hilgen ishte një rast i pastër që tregonte problemet e mëdha të skuadrës.

“Erdhi një trajner grek që quhet Georgios Marantas. Ai vinte nga kategoria e tretë në Greqi dhe mendonte se ishte Jose Mourinjo. Më kishte parë të luaja dhe nuk më pëlqente. Unë luaj gjithashtu edhe si mesfushor, por jam mbrojtës. U përpoqa që t’ia shpjegoja. Kur befas ai po më bërtiste se nuk do të luaja nëse nuk e dëgjoja atë. Në atë moment mendova: “Mik, çfarë dreqin je duke folur?”. Ti nuk më njeh mua dhe nis menjëherë me ulërima”, do të ishin pak nga fjalët e thëna nga Hilgen menjëherë pas largimit.

Luftëtari do ta kërkonte sërish holandezin për ta marrë pas largimit të Marantas, por përgjigja ishte refuzuese. Tashmë aventura ka vazhduar në Zelandën e Re me ekipin e North Shore United. Ofertat nuk munguan për të, por të gjitha do të mbylleshin në fund.

Menaxheri i parashtroi mundësinë e Zelandës së Re dhe lojtari nuk e mendoi dy herë. “Sigurisht që këtu është një nivel tjetër nga Europa. Këta kanë Rugby si sport të parë dhe pas tij vjen futbolli. Por gjithsesi është bukur kur del në fushë me shokët e ekipit. Mendoj se është mirë për mua që të luaj në kampionate të ndryshme. E shikoj vërtet si një aventuër këtë, qyteti është i bukur, megjithëse nuk kam dalë shumë në këto kohë për shkakun e pandemisë”, tha Cerezo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *