Nga lotët te thirrja e babit për të ardhur në Shqipëri, Bare: Dua Botërorin me Kombëtaren!

Keidi Bare është futbollisti që i ka rrëmbyer zemrën të gjithëve te Kombëtarja. Pavarësisht hezitimeve dhe dyshimeve që kishin disa prej analistëve kur emri i këtij lojtari figuroi si titullar ndaj Francës, rezultoi si më i miri në fushë. Futet në të njëjtën mënyrë edhe ndaj Islandës, atje ku dhuroi një tjetër paraqitje dinjitoze.

Në një intervistë për “Ora News”, Bare ka rrëfyer gjithçka. Për ta nisur nga ai largim në moshë të vogël drejt Greqisë, ku sigurisht që përmallimi për familjen kishte ndikimin e saj, aqsa babai i kërkonte që të rikthehej në Shqipëri. Kur flitet për dëshirën e madhe, është Botërori me Kombëtaren.

“Kam filluar të vallëzoj me topin shumë i vogël. Luaja me shokët e lagjes pranë stadiumit ku është fusha sportive sot e Apolonisë. Një ditë një shok i babait (Romeo Haxhiaj) më pa dhe më ftoi që të stërvitesha me të. Babai fillimisht ishte skeptik, por më pas u bind që duhet të stërvitesha për tu bërë futbollist.

Ishte një moment i vështirë kur u largova në Greqi në moshën 10 vjeçarem por nuk kisha çfarë të bëja. E kam kaluar shumë keq pasi nuk ambjentohesha. Kur flisja me familjen qaja gjithmonë, babai më thoshte që t’u riktheja në Shqipëri por unë e dija se duhej të vazhdoja përpara dhe se ky hap ishte shumë i rëndësishëm për mua pavarësisht vështirësive të shumta. Në fund besoj se sakrifica ia vlejti shumë.

Torres ka qenë idhulli im në fëmijëri. Ishte një ëndërr për mua ta kisha shok skuadre dhe ta shihja kur luante futboll. Kontakti i parë me Fernado Torres ka qenë tepër miqësor. Ka qenë jo vetëm një futbollist fantastik por edhe një njeri shembullorë. Më motivonte gjithmonë.

Të lija Atletikon ishte diçka e vështirë, por në fund mendova për veten time. Doja të tregoja sesa vleja. Minutat në këtë moment të karrierës janë shumë të rëndësishme për mua. Jam përshatur mirë pasi kam mbështetjen e të gjthëve. Kam punuar çdo ditë që të vesh fanellën e kombit tim. Për mua ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Tani do të bëj maksimumin që ta meritoj këtë fanellë. Dua ti ngjis shkallët një e nga një. Dëshiroj shumë të lë gjurmë me fanellën e Atletiko Madridit. Ëndrra është botërori me ngjyrat kuqezi”, ka thënë Bare. /Sport Ekspres/