Nga Lacio te Spaleti, Borja Valero: Kujdes Imobilen, Brozoviç i jashtëzakonshëm

Humbja me Barcelonën është lënë pas në kampin zikaltër dhe ekipi i Spaletit është i fokusuar te ndeshja kundër Lacios në kampionat. Stadiumi “Olimpico” i sjell kujtime të bukura Interit, që fitoi me përmbysje ndeshjen e sezonit të kaluar, duke u rikthyer në Champions pas gjashtë vitesh, me Lacion që përfundoi në Europa League.

Borja Valero ka folur përpara sfidës të së hënës për mikrofonët e “Legia Serie A”, duke vlerësuar kundërshtarin dhe sulmuesin Imobile. 33-vjeçari spanjoll është një profesionist i madh dhe është gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin e tij, pavarësisht minutazhit të ofruar. Ai vlerëson shokun e skuadrës, Marselo Brozoviç. Me pak më shumë qetësi, kroati do të bëhet një nga më të mirët në rolin e tij, ndërsa në fund elozhe për Luçiano Spaletin, i cili po i merr maksimumin kësaj skuadre.

LACIO – “Ajo ndeshje mbylli rrethin e sezonin tonë, duke na dhuruar objektivin që ndiqnim prej gjithë vitit. Në fund vuajtëm shumë dhe ia dolëm në minutën e fundit, por kemi punuar pafund gjatë gjithë sezonit për të arritur në Champions. Kësaj radhe është ndryshe, por e mendojmë ndeshjen e sezonit të kaluar. Do të jetë një ndeshje e komplikuar kundër Lacios dhe për të fituar na nevojitet një bindje e madhe. Lacio është një skuadër me skema të konsoliduara, mbrojnë shumë mirë dhe është e vështirë të krijosh raste për gol kundër tyre. Imobile lëviz mirë mes linjave dhe mbetet gjithmonë një lojtar i vështirë për t’u markuar. Unë kam besim te skuadra jonë dhe kemi mundësi për të fituar, nëse luajmë lojën tonë.

FORMA – “Është normale që një profesionist të jetë gjithmonë i përgatitur. Asgjë nuk ndryshon nëse të japin një minutë, ose dhjetë minuta në ndeshje. Duhet të jemi gjithmonë të përqendruar për të ndihmuar skuadrën sa më shumë të jetë e mundur. Unë jam një punëtor i futbollit, kjo është e vërtetë. Nuk kam cilësi të jashtëzakonshme, por di të bëj mirë gjithçka. Kam inteligjencë në fushë dhe kam arritur gjithmonë të fitoj besimin e trajnerit dhe të përfitoj hapësirën time në fushë.”

BROZOVIÇ – “Jam përpjekur gjithmonë të përcjell eksperiencën time te të tjerët. Brozo ka qenë njëri prej tyre, kishte një talent të pabesueshëm dhe e shfaqte në ndeshje. Nëse fiton pak më shumë qetësi në atë pozicion të fushës ku luan, ai mund të bëhet një nga më të mirët në botë në rolin e tij.”

SPALETI – “Kur ke një tip të përcaktuar lojtarësh duhet të përshtatesh lojën në bazë të karakteristikave të tyre dhe ai ia ka dalë mbanë. Kemi lojtarë që mund ta kryejnë filozofinë e tij të mbajtjes së topit, por kemi dhe lojtarë të tjerë që mund të mbrojnë dhe të rinisen në sulm me shpejtësi dhe forcë”, përfundon spanjolli i mesfushës së Interit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *