Nga Kazakistani në Itali, Partizani studion sulmuesit

Emri i sulmuesit futet në orbitën e “demave”. Afrikani ka luajtur me Kairatin. Propozohet edhe sulmuesi në pronësi të Torinos, Abou Diop

Partizani kërkon një sulmues me çdo çmin në merkaton e janarit. Emrat që janë propozuar janë të shumtë. Dy të fundit që kanë rënë në orbitën e të kuqve janë Gerard Gohu dhe Abou Diop.
I pari është një superlojtar me statistika fantastike. Drejtori Sportiv, Antonelo Preiti, duket se është futur në garë për ta sjellë te Partizani. Sondazh për të ka hapur të paktën. I dyti është propozuar nga menaxheri Elton Marini. Ai është Abou Diop dhe është në pronësi të Torinos.

GOHU – Sulmuesi 29-vjeçar është i lirë në treg, pasi ka mbyllur karrierën me ekipin e Kairatit. Gerard Gohu është nga Bregu i Fildishtë dhe ka një karrierë relativisht të kënaqshme. Ai ka luajtur edhe në Turqi me skuadrat e Denizlispor dhe Kajserispor. Një eksperiencë të shkurtër në Rusi, për t’u stacionuar 3 vite te Kairat. Statistika të frikshme. 102 ndeshje, 80 gola,eksperiencë ndërkombëtare, duke i shënuar edhe Teutës e Skënderbeut në Europa League këto vitet e fundit. Emri i tij i është propozuar Drejtorit Sportiv të Partizanit, Antonelo Preiti. Italiani ka kërkuar më tepër informacione për të në profilin e tij në “Linkedin”. “Përshëndetje, si jeni? Shpresoj të jeni mirë. Faleminderit për profilet (e lojtarëve) që më keni ftuar t’i shoh. Doja të dija rrogën mujore të këtij sulmuesi, Gohu. Faleminderit”, – shkruan italiani. Afrikani është lojtar i lirë, por rroga e tij ndoshta është e papërballueshme nga skuadra kryeqytetase.

DIOP – Emri tjetër që i është propozuar Partizanit nga menaxheri Elton Marini është Abu Diop. Roli i tij është sulmues dhe kartonin e tij e ka në zotërim ekipi i Torinos. Senegalezi ka luajtur vetëm në moshë të re me ekipin e Serisë A, ndërsa karriera e tij ka qenë e përqendruar në Serinë C. Torino nuk e ka lëshuar kartonin e tij, por e ka dhënë gjithmonë në formë huazimi. Momentalisht, 24-vjeçari është i huazuar te Basano, ku ka luajtur 12 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Ai ka provuar edhe fanellën e Leçes, Ternanës, Juve Stabias, etj. Alternativa e tij është parë me vëmendje nga drejtuesit e klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *