Nga Kaçe te Valdet Rama, Gjici i papërmbajtshëm!

 

Presidenti i kampionëve tentoi dy futbollistë të nivelit të lartë dhe në radarin e kombëtares. Prapaksenat, detajet dhe oferta. Buxheti i merkatos, i jashtëzakonshëm

Anton Cicani

Kukësi është duke ndërtuar dita ditës një skuadër e cila do të përpiqet që të eliminojë Sherifin e Tiraspolit, kampionët e Moldavisë, për të ndjekur ëndrrën e madhe. Investimet e presidentit Gjici, që në këto pesë vjet ka shpenzuar më shumë se 2,5 mln euro, nuk kanë të sosur dhe, sipas asaj që ka zbuluar “Sport Ekspres”, përpara disa ditësh pati një tentativë konkrete për të siguruar, për sfidat e Champions, futbollistin e kombëtares, Ergys Kaçen, por ky i fundit s’ka pranuar si ide, edhe pse shuma e parave që i janë ofruar është e majme. Në fakt, është tentativa e dytë që bëhet kjo, pasi edhe në janar, futbollisti ishte pranë verilindorëve, por më pas preferoi të qëndronte te PAOK. Jo vetëm kaq, por Kaçe u kërkua edhe nga Panionios, sipas asaj që mëson gazeta, por sërish refuzim. Kaçe do të largohet këtë verë dhe ka disa sondazhe në Francë dhe në Zvicër, ku në valle mund të jetë edhe Sioni i Tramexanit, një mundësi reale, pasi ish ndihmësi i De Biazit e pëlqen së tepërmi. Megjithtaë, ende nuk është thënë fjala fund dhe nuk i dihet kurrë. Sidomos, nëse kampionët e Shqipërisë do të kalonin turin e dytë të Champions League, duke shkuar në të tretin.

Por, Ergys Kaçe nuk ishte i vetmi. Sipas asaj që ka mësuar gazeta, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i karikuar edhe nga titulli i fituar, bëri edhe një tentativë e cila u prish në fund. Ishte pranë goditjes së madhe të quajtur Valdet Rama. Madje, pati edhe bisedime me trajnerin Gjoka, që e vlerëson shumë futbollistin, i cili bën ende diferencën në krah. Madje, detajet e kontratës së ofruar ishin vërtet interesante: 15 mijë euro në dorë dhe 10 mijë euro çdo muaj në vijim. Praktikisht, thuajse 150 mijë euro në vit, përfshirë edhe ndonjë bonus. Futbollisti kosovar kërkoi kohë të reflektonte por në fund vendosi për jo, duke falënderuar verilindorët për ofertën e tyre. Ndërkohë, Rama, që sezonin e shkuar u aktivizua me Vurzburg Kikers në Bundesligën e dytë gjermane, është në kontakte edhe me Panathinaikosin në Greqi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *