Nga Hazard tek Kovaçiç, Sarri gati për debutim

Mauricio Sarri është gati për të nisur sezonin e ri nën drejtimin e Çelsit. Aventura e parë jashtë Italisë për teknikun 59-vjeçar, i cili nesër debuton përballë Hadërsfilldit në transfertë. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë me “Blutë” e Londrës, Sarri flet për Hazard, largimin e Kurtuas dhe afrimet e merkatos.

Hazard – “Ai vazhdon me ne. Kam diskutuar tri katër herë me Hazard për gjithçka dhe nuk më ka përmendur asnjëherë merkaton, kështu që mendoj se ai është i lumtur të vazhdojë me ne. Nuk dua të komentoj për kontratat, sepse nuk është puna ime. Puna ime është në fushë dhe kam detyrë të përmirësoj, të fitoj ndeshjet dhe kam një futbollist që është i lumtur të qëndrojë këtu. Mendoj se nuk do të kemi probleme për sa i përket rinovimit të belgut.”

Kurtua – “Situata e Kurtuas ishte e qartë. Ai kishte shkaqet e tij personale dhe dëshironte të largohej për në Madrid.”

Kovaçiç – “Mateo ka karakteristikat e duhura për lojën tonë. AI është një lojtar teknik dhe mund të luajë midis linjave të kundërshtarit dhe mendoj që do të jetë një lojtar tepër i rëndësishëm për ne.”

Kepa – “Kemi humbur një nga portierët më të rëndësishëm në botë, por kemi marrë një portier të ri, një nga më të rëndësishmit në Europë. Jam i lumtur për Kepan, sepse është i ri, vetëm 23 vjeç dhe mendoj që mund të përmirësohet shumë shpejt, por për momentin Kepa nuk është Kurtua dhe kjo është e qartë.”

Në fund trajneri ka folur dhe për numrin e madh të lojtarëve në dispozicion, kështu që do të ketë dhe disa largime. Njëri prej tyre është mesfushori Bakajoko, i cili është drejt kalimit te Milani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *