Nga Hallaçi te Shameti: Ndeshje e madhe, mëkat eliminimi!

Kukësi u eliminua nga Sherifi i Tiraspolit, por verilindorët luajtën një ndeshje të shkëlqyer, duke qenë shumëpranë kualifikimit historik.

Kapiteni Hallaci u shpreh për “Sport Ekspres” pas ndeshjes se bënë një lojë të madhe dhe se dalin me kokën lartë nga kjo aventurë në Champions League. “E kishim përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Zhvilluam një ndeshje të madhe, ashtu si në Moldavi, ndaj një kundërshtari të fortë që ka investuar shumë ndër vite. Duhet të ngremë kokën lart, ta pranojmë rezultatin si profesionistë. Futbolli i tillë është, sulmuam deri në fund. E provuam nivelin e lartë të Champions Ligës dhe treguam që jemi të denjë për të luajtur në këtë nivel. Ndeshjen e parë nuk e njihnim shumë kundërshtarin, pavarësisht se e kishim studiuar me videokaseta. Nuk kishim çfarë prisnim më, duhet të sulmonin pasi ishim në disavantazh. Bëmë një ndeshje të madhe, në pjesën e parë shënuam dy gola, treguam forcën tonë dhe mund të shënonim edhe golin e tretë. E thashë edhe më parë, nuk kemi çfarë bëjmë, duhet ta pranojmë rezultatin”, deklaroi Hallaçi.

SHAMETI – Qendërmbrojtësi gjirokastrit u shpreh pas ndeshjes për gazetën se Kukësi e meritoi kualifikimin. “Kemi bërë një lojë shumë të mirë dhe me rastet që krijuam mendoj se duhet të kualifikoheshim ne. Ndikoi rezultati i ndeshjes së parë. Duhet të kishim më pak fat. Ky Kukës për titull? Tani për momentin duhet të pushojmë dhe të ulemi me klubin për rinovimin e kontratave dhe të shikojmë projektin që ka”.

RRUMBULLAKU – Në të njëjtën linjë me Hallaçin dhe Shametin ishte edhe mbrojtësi tjetër Rrumbullaku. “Ne si lojtarë dhamë maksimumin. Që në minutat e para të ndeshjes hymë në fushën e lojës shumë të mobilizuar duke besuar tek përmbysja dhe ja dolëm deri diku. Por, një shpërqendrim në mbrojtje bëri që ne të pësonim gol. Fati na penalizoi në këtë mbrëmje, krijuam shumë volum loje, dominuam thuajse tërë ndeshjen, shtyllë dhe raste, penallti, por në fund nuk mundëm të kualifikoheshim dot. Kështu është futbolli, një lojë gabimesh. Duhet që të vazhdojmë sërish me kokën lart. Ky i sotmi është Kukësi më i mirë. Besoj që e ëndërronim të gjithë. Besoj se edhe drejtuesit, dhe të gjithë ata sportdashës kuksianë dhe jo vetëm, kanë parë një Kukës si asnjëherë tjetër. Fati nuk donte që ne të kualifikoheshim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *