Nga Gjermania në Holandë, sulmuesi i Shqipërisë U-21 tregon ofertat: Do debutoj me Lilën në “Ligue 1”

Sulmuesi i Shqipërisë U-21, Agim Zeka, ka kaluar disa huazime në karrierë dhe dëmtimet i kanë sjellë jo pak probleme. Ndërkohë shtëpia e tij është Lila, me ekipin e njohur francez që ka të drejtat e kartonit të këtij lojtari.

Në një intervistë për “Gazeta Sheshi”, Zeka ka treguar se ka shumë oferta për të vazhduar karrierën e tij, megjithëse si opsioni i mundshëm shihet edhe rinovimi me Lilën në “Ligue 1”, me objektivin për të shkuar edhe në ekipin e parë dhe debutuar aty.

“Periudha në këtë kohë izolimi është mjaft e vështirë për të gjithë, sidomos për ne futbollistët të cilët jemi vazhdimisht të angazhuar me aktivitete fizike. Por, shëndeti është më i rëndësishëm dhe ne duhet ta kuptojmë këtë gjendje dhe ta rrespektojmë atë.

Gjendja ime fizike është shumë e mirë, jam duke u munduar ta mbajë ritmin edhe pse kisha vështirësi nga lëndimi. Por tani jam shumë mirë dhe po e pres me padurim rikthimin në fushat e blerta.

Objektivat e mia janë që të debutojë në kampionatin elitar të Francës. Jam afër këtij qëllimi dhe besoj që do ta realizoj me sukses këtë objektiv. E ardhmja nuk i dihet akoma. Kam disa oferta nga Holanda dhe Gjermani. Por, mund edhe të rinovoj me Lillen”, tha Zeka. /Sport Ekspres/