Nga Franca… “me dashuri”!

Anton Cicani
Më 27 mars, fill pas ndeshjes miqësore të humbur ndaj Norvegjisë, Kristian Panuçi kërkoi një konferencë për shtyp përmbyllëse, edhe pse një ditë më parë kishte folur për mediat dhe televizionet… Një gjest që u vlerësua, sigurisht, për faktin se përpara gjithë përfaqësuesve të medieve, duhej një konfrontim normal, në formë debati por edhe pyetje përgjigje, në kohë reale. Nga marsi në qershor, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tanimë trajneri italian jo vetëm që nuk prezantoi dy miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës përpara se të nisej për grumbullim disa ditor në Zvicër, por që nuk denjoi as të vijë për konferencën përmbledhëse, teksa edhe në deklaratën e fundit, pas ndeshjes, për “Supersport”, braktisi intervistën, duke akuzuar më pas federatën për organizimin e bërë në një vend të papërshtatshëm, aty ku tifozët e morën në shënjestër.

Jo vetëm kaq, por edhe në dy konferencat e zhvilluara në Zvicër, i vetëm përballë dy gazetarësh, ishte një “lojë fëmijësh” që të përgjigjej për çdo gjë (sigurisht, nuk ka shumë faj që në Shqipëri ekonomia është ajo që është dhe nuk kanë para apo fonde për dieta). E ndërsa në Tiranë e priste 80% e përfaqësuesve të medieve të vendit tonë, u desh një konferencë e improvizuar në hotel, me drejtorin e marrëdhënieve për publikun, Gerti Çarçani, që t’u përgjigjej pyetjeve me të ardhura me “postë” nga kryeqyteti. Komod në kolltuk, nga hoteli në Francë, italianit nuk i është dridhur qerpiku për asgjë.

Por, a ka turp më të madh se sa kjo gjë?! Kush e organizoi këtë konferencë “automatike”? Nuk donte trajneri të vinte në Tiranë? Nuk donte federata? Apo kushtonte bileta? Intervistë pyetje-përgjigje të organizuar me regjistrim dhe postuar në Youtube, a thua se jemi te hitet e fundit apo në filma vizatimorë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *