Nga Fiorentina, te problemet me gjunjët, Batigol: Më pëlqente… disavantazhi!

Gabriel Omar Batistuta është një emër simbol i futbollit botëror dhe një frymëzim për miliona tifozë. Sulmuesi i famshëm i Fiorentinës ishte një “përbindësh” goli. Lider, forcë, potencë, grintë, pasion dhe një tmerr për portierët kundërshtarë.

Argjentinasi luajti për 9 sezone me ekipin nga Firence, aty ku vazhdon të jetë një idhull absolut. Refuzime të shumta, për t’u larguar drejt Romës në moshën 31-vjeçare. Vështirësitë financiare të Fiorentinës detyruan klubin të shesë yllin dhe kapitenin e saj dhe Batistuta kaloi në kryeqytet, duke fituar titullin e tij të parë kampion në Itali.

Batigol ka folur në emisionin “Domenica Sportiva”, duke komentuar Federiko Kiezën dhe vdekjen e befasishme të Davide Astorit. Ish-bomberi i famshëm zbulon një detaj të rëndësishëm si dhe golin më të bukur të shënuar me bluzën vjollcë, si dhe komenton shkurt golin e shënuar në gjysmëfinalen e Kupës së Kupave në “Camp Nou” përballë Barcelonës. Tifozët po e provokonin gjatë gjithë ndeshjes, Batigol priti momentin e tij, lëshon një predhë drejt portës kundërshtare dhe hesht stadiumin me eurogolin e tij dhe gjestin e gishtit.

Në fund pengjet e karrierës dhe fakti që nuk refuzonte kurrë të luante. Zero rotacion dhe pasojat i ka vuajtur më vonë. Për një farë periudhe kishte probleme me gjunjët dhe të ecurën. Falë zotit tani është më mirë dhe në formë.

KIEZA – “Kieza është i fortë, por nuk mjafton. Kam mësuar që të rinjtë duhet të përsërisin veten në kohë, kështu që varet nga ai, e ardhmja e tij dhe koka e lojtarit. Më kanë thënë që është një djalë shumë i mirë dhe punon shumë.”

ASTORI – “Vdekja e tij goditi gjithë botën futbollistike, sepse ishte kapiteni i Fiorentinës, edhe pse nuk ishte një lojtar i njohur në nivelin botëror. U zbulua që ishte një njeri i mirë, i cili kujdesej shumë për ekipin dhe kjo bëri që të ishte një humbje e madhe në aspektin njerëzor.”

FIORENTINA – “Kam patur shumë oferta nga skuadra të mëdha, por mua më pëlqente ta nisja ndeshjen në disavantazh. Kur e mendon duket një arsyetim idiot, por mua më pëlqenin sfidat. Goli që më lidh më shumë me tifozët e Fiorentinës është ai që shënova në ‘Wembley’ kundër Arsenalit. Të gjithë na cilësuan të mbaruar, por arritëm të mposhtim Arsenalin. Heshtja në ‘Camp Nou’? Ishte një javë e vështirë me një provokim të vazhdueshëm nga tifozët e Barcelonës.”

PENGU – “Mund të fitoja një tjetër titull me Romën, ishim një ekip pothuajse i pamposhtur. Në kombëtare kam luajtur me Maradonën, Kanixhian, por në 3 Botërorë nuk bëmë asgjë. Gjunjët? Tani jam më mirë dhe arrij të eci. Nuk pushoja kurrë kur luaja, do të kisha preferuar të luaja ndonjë ndeshje më pak.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *