Nga “ëngjëll në djall”! Demi e vlerësoi duke refuzuar 2 milionë euro, Olsi Rama është kryesori i Partizanit

0

Partizani ka marrë tatëpjetën këtë sezon, ndërsa petku i kampionit nuk po i shkon aspak dhe nuk po tremb asnjë prej kundërshtarëve me të. Ndryshimet në pankinë nuk kanë mundur dot “të shërojnë” lojën e “demave të kuq”. E në një moment të tillë gishti tregues ka nisur të drejtohet nga drejtori sportiv, Olsi Rama, duke e piketuar si fajtorin e këtij dështimi. Duartokitjet i kanë lënë vendin kritikave dhe gazetarët e opinionistët e kanë gjetur problemin e Partizanit te Rama.

Pikërisht te ai që sezonin e shkuar mori edhe vlerësimet më të mëdha pas rikthimit te titulli kampion të klubit, trofe i cili mungonte në shtëpinë e Partizanit që prej 26 vitesh. Të gjithë do ta përgëzonin Ramën dhe do i thonin “bravo”, teksa do të shihej edhe si një prej figurave kryesore të suksesit. Madje duke pasur edhe besimin e palëkundur të presidentit Demi, aq sa ky i fundit ka zbuluar se ka refuzuar edhe ofertë 2 milionë euro për drejtorin sportiv të të kuqve.

Por tashmë situata ka ndryshuar tërësisht dhe papritur Olsi Rama e sheh veten të shndërrohet nga “ëngjëll në djall” në sytë e opinionit sportiv, nga të cilët shihet si shkaktari kryesor i gjendjes së vështirë në të cilën ka përfunduar klubi i kuq. Rruga e suksesit është e vështirë, por edhe më shumë është mbajtja e tij. Gjë të cilën as Partizani e as Rama nuk ia kanë dalë ta realizojnë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.