Nga ëndrra, te sulmuesi më i kompletuar: “zbërthehet” Xhovani Simeone

Fiorentina e ka nisur këtë sezon mjaft mirë në këto javë të para. Ekipi i drejtuar nga Stefano Pioli renditet në vendin e tretë, pas shtatë javësh të luajtura. Përveçse trajnerit, meritë për këtë ecuri kanë edhe lojtarët.

Një nga lojtarët që ka rënë më shumë në sy te Fiorentina, që në sezonin e kaluar është pikërisht Xhovani Simeone. Sulmuesi kryesor i vjollcëve ka shënuar vetëm 2 gola këtë sezon, por gjithsesi është një ndër më të mirët te skuadra e tij. I biri i Diego Simeones ka folur për mediat italiane, teksa ndër të tjera ka folur dhe për sulmuesin më të mirë të Serisë A sipas tij.

“Higuain është shumë i fortë dhe sulmuesi më i kompletuar në Serie A. Ai i ka të gjitha, është i mirë me topin, ndihmon ekipin dhe nuk gabon para portës. Mjafton një hapësirë e vogël dhe ai mund të të ndëshkojë.”

Më pas Xhovani foli dhe për të atin e tij, Diego Simeonen, trajnerin aktual të Atletikos së Madridit. Sulmuesi foli për dëshirën e tij, që një ditë babai i tij të jetë edhe trajneri i tij njëkohësisht.

“Në fillim kisha shumë presion, si pasojë edhe nga mbiemri, por tani jam mësuar. Unë shpresoj që babai im mund të bëhet trajneri im një ditë. Një ditë ai mund të jetë edhe trajner i kombëtares së Argjentinës, nuk i dihet. Në familjen time ne të gjithë punojmë për të arritur maksimumin, asgjë nuk është e pamundur”, përfundoi sulmuesi i Fiorentinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *