Nga Elton Kale, te Vasil Shkurtaj: Armand Cungu vë pikat mbi “i”

Armando Cungu, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Kamzën. Merkato, Kale dhe Shkurtaj ishin tema diskutimi, ashtu sikurse edhe situata në ekip. Mungesat vijojnë ta shqetësojnë trajnerin shkodran, i cili gjithsesi ka besim te lojtarët që ka në dispozicion.

GJENDJA E EKIPIT – “Na ka shërbyer pushimi i kampionatit për të rritur disi ritmin e përgatitjeve. Por nuk na shërbeu për rikuperimin e disa futbollistëve, që nuk do të jenë në fushë nesër. Gjithsesi jemi munduar të bëjmë më të mirën me këta që kemi. Shpresojmë të shohim një Kukës luftarak dhe që të kërkojë tre pikët”.

ZËVENDËSIMI I TITULLARËVE – “Natyrshëm që nuk është e lehtë. Nuk është situatë e re për ne, e kemi pasur në vazhdimësi. Jemi munduar ta menaxhojmë situatën. Gjithkush ka mundësitë e veta për të dhënë më të mirën. Nuk duhet të shqetësohemi shumë. Me mungesat që kemi jemi munduar të gjejmë lojtarët e duhur për t’iu përshtatur lojës. Shpresoj që nesër t’ia dalim”.

PRESIONI – “Gjithmonë ka presion, jo vetëm tek unë. Edhe po të jesh i pari ke presion ta ruash. Jam i fokusuar tek ekipi. Do mundohem të bëj maksimumin, si nga ana profesionale ashtu edhe nga ana njerëzore, për këtë klub. Natyrshëm do mundohem të bëj zgjedhjet e duhura për vazhdimësinë e ekipit. Çfarë është në dorën time, padyshim që do bëj maksimumin për të përmbushur detyrat e mia si trajner”.

KUNDËRSHTARI I MOBILIZUAR – “Nuk do të thotë asgjë se kanë bërë ndryshime. Përtej pikëve që ata kanë, Kamza për mua ka lojtarë të mirë dhe duhet respektuar. Nuk janë ekip i lehtë. Në fushën e tyre dinë të shprehen mirë. Edhe ata kanë nevojë për pikë, ashtu si ne. Ia lëmë fushë dhe ekipi që do kërkojë më shumë do të marrë maksimumin. Jam i bindur dhe shpresoj të jemi ne ekipi që do të marrë pikët e plota”.

MERKATO – “Nuk kam bërë ndonjë listë, jam i fokusuar te puna me këta djem. Duhet t’i marrim më të mirën këtij ekipi. Mund të them fjalë të mirë për grupin, por futbolli luhet për pikë. Kemi merituar më shumë pikë me futbollin që kemi zhvilluar. Gjithsesi shpresojmë që në vazhdimësi të kemi një sjellje tjetër edhe në lidhje me pikët”.

KALE – “Kemi diskutuar me presidentin dhe drejtorin që kur kam ardhur këtu. Është përmendur problematika e Kale, gjyqet pafund, pretendimet. Mendoj që natyrshëm ardhja e tij do ishte një vlerë e shtuar, por kishte edhe një kohë të humbur. Ishte shkëputur nga ekipi. Mund të thoni që është stërvitur me Vlorën, por duke ardhur te Kukësi, në një ekip krejtësisht të ri, do të donte kohe për t’u përshtatur. Ne po shohim se kemi një ekip të ri, që edhe po stërvitet së bashku prej kohësh, dhe ende nuk mund të themi se kemi marrë maksimumin e këtij grupi. Drejtuesit e panë të arsyeshme të merrnin këtë vendim”.

SHKURTAJ – “Nuk dua të flas, nuk kam asnjë koment. Përmenden shumë emra, shpesh nga ata që nuk janë as në orbitën tonë, as në idetë tona. Nuk është hera e parë që më ndodh diçka e tillë, më ka ndodhur në çdo ekip që përmenden që nuk kanë lidhje. Kjo nuk do të thotë se është rasti i Shkurtajt që po përmend unë. Thashë edhe më përpara është shumë herët për të folur. Kemi pesë ndeshje përpara, na duhen pikë dhe jemi të fokusuar te puna me djemtë. kur të mbarojë kampionati do bëjmë bilancin dhe do shohim ku mund të ndërhyjmë”.

TIFOZËT – “Patjetër që është e nevojshme të na mbështesin. Këtë e kemi vuajtur, që nuk kemi luajtur në shtëpi. natyrshëm që ata janë impuls shumë i madh për ekipin. Shpresoj të jenë sa më të shumtë dhe ta mbështesin ekipin. Por nuk është vetëm një ndeshje, kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme. I kuptoj ata, jam në krahun e tyre, ashtu si edhe klubi. Natyrshëm ata duan fitore, janë të kënaqur me lojën, por jo me pikët. Shpresoj që nesër të kënaqen edhe me pikët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *