Nga e ardhmja te Kejn, Poçetino: Çfarë ndjesie të jesh në majë, finalen e vendosin… emocionet!

Mauricio Poçetino dhe Totenhemi i tij janë gati për finalen e Champions Ligës. Hera e parë për argjentinasin dhe klubin londinez që shkojnë kaq larg. Spurs kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe janë një hap larg lavdisë së madhe. Nëse mposhtin Liverpulin në finale, do të kthehen të pavdekshëm.

Trajneri është ndalur te finalja dhe tenton të shpjegojë emocionet dhe ndjesitë e provuara. Gjithsesi, siç e thotë edhe vetë, gjithçka do të qartësohet më mirë në momentin kur të nisë ndeshja.

E ardhmja e tij nuk ka rëndësi, të paktën për momentin. Gjithçka do të zbardhet pas finales. Trajneri jep dhe lajmin e mirë për Herri Kejn. Bomberi dhe kapiteni i ekipit ka nisur stërvitjen dhe ndihet mirë. Ai do bëjë të pamundurën për të mos e humbur ndeshjen e jetës dhe Poçetino duket entuziast, pavarësisht se luan me fjalët.

Të jesh në finalen e Champions Ligës, do të thotë të jesh në majën e futbollit botëror, më saktë në një pozitë që shumë pak e kanë provuar. Jemi njerëz të thjeshtë. Edhe pse kemi bërë shumë sakrifica, kemi shijuar gjithçka. Kështu jemi gatuar. Ky është një moment historik, që nënkupton shumë për ne.

Është e vështirë të përshkruash me pak fjalë ose në pak minuta. Nuk kemi realizuar akoma gjithçka, mungon ngritja e trofeut. Deri tani mund ta kuptojmë pak se çfarë kemi arritur dhe çfarë na pret, por kur të jemi në Madrid dhe të nisë ndeshja, do e kuptojmë më mirë. Ndjesia e gjithë stafit teknik është mirënjohja kundrejt futbollit, klubit dhe lojtarëve.”

“E ardhmja? Unë nuk jam i rëndësishëm, ka gjëra edhe më të mëdha. Mund të shkruajmë historinë dhe t’iu dhurojmë tifozëve tanë gëzimin më të madh që mund të përjetojnë. Është gjynah të merremi me një person të vetëm. Tani jemi të përqendruar 200% te finalja, do të kemi kohë të flasim për të ardhmen time. Po shijoj momentin dhe po përgatitemi për të zhvilluar një finale të madhe.”

FORMACIONI – “E kam të vështirë të zgjedh vetëm 11 lojtarë, por jemi të sigurt se do të marrim vendimet e sakta. Këtë javë do të kalojmë nga 12 orë me lojtarët dhe askush më mirë se ne nuk mund ta dije se kë të zgjedhë. Kejn është rikthyer të stërvitet me grupin të premten e kaluar dhe situata është pozitive. Të shohim se si do të ndihet, por nuk mund ta them me siguri të plotë, nëse do jetë titullar apo do e nisë nga stoli.”

“Nuk do të jetë një betejë taktike ose Poçetino kundër Klop. Do të jetë një finale e bazuar tek emocionet”, përfundon trajneri i Spurs.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *