Nga diletantët në Kazakistan, Llullaku tani synon Serinë B!

0

Një histori si në përralla: ajo që ishte 14 vjet më parë një mollë e ndaluar, sot mund të jetë e ardhmja e shqiptarit, që pritej të zyrtarizohej te Ordabasi, por merr avionin drejt Italisë

Nga Kosova në Kazakistan është një distancë e konsiderueshme prej 5500 km, por sigurisht që kur emigron për “bukën e gojës” dhe kur në jetën tënde ke kaluar shumë peripeci, të duket shumë pak…ndoshta e pakonsiderueshme. Sigurisht nëse ti ke lindur në Istog dhe, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tu, në moshën 12 vjeç je detyruar të lësh shkollën dhe çdo gjë, teksa bashkë me familjen tënde i ke hipur një gomoneje drejt shpëtimit. Sepse, të rritesh pa baba është e vështirë, por jo e pamundur. Azdren Llullaku e ka humbur që në moshën 6-vjeç dhe ajo e ka bërë më të fortë. Nga Kosova në Gjermani, aty ku qëndron një vit dhe më pas merr rrugën drejt Italisë… Eshtë viti 2001 dhe ai e gjen veten në Tarco, provinca e Trevizos.

Dhe, për të kuptuar sakrificat e tij, mjafton një copëz e historisë, teksa shkonte në shkollë dhe punonte kamerier për të ndihmuar të ëmën ekonomikisht. Pasioni për futbollin dhe e ardhmja për të mbushur frigoriferin e tërheqin shumë, por në 8 vjet “degdiset” mes nivelin diletant dhe semi-profesionist, duke ndërruar disa skuadra. “Isha ekstrakomunitar dhe të kalosh nga kategoritë e ulëta në elitë me këtë status është e pamundur”, do të deklarojë më vonë. Dhe, në atë moment kur të ardhmen e shihte të zezë, vjen edhe trampolina e madhe: Gaz Metani e tërheq në Rumani, aty ku në 4 vjet shënon më shumë se 30 gola dhe ku rezulton ndër më të mirët. Astana i vendos sytë dhe e transferon në Kazakistanin e largët, mes lluksit dhe parave. Llullaku huazohet te Tobol ku nuk lë shenjë dhe në fund detyrohet të braktisë Kazakistanin, duke e gjetur veten për pak ditë te Ordabasi, por edhe kjo histori s’përmbushet.

Rrënjet – Azdren Llullaku nuk po zë rrënjë këtë vit. Pas përfundimit të kontratës me Astanën, sulmuesi i Shqipërisë priti gjithë janarin për të gjetur ekip dhe ditët e fundit shkoi në Turqi, duke u bashkuar në stërvitje me Ordabasin e Kazakistanit. Dje Llullaku shënoi në miqësoren e mbyllur 2-2 me Sllovackon dhe u duk se ka mbyllur gjithçka, duke u kthyer në Kazakistan. Sot surpriza: Llullaku niset për në Itali, me destinacionin që pritet të jetë Virtus Entela, sipas Supersportit. Sipas burimeve pranë futbollistit, Llullaku dhe klubi i Ordabasit nuk firmosën kontratë, pasi nuk ranë dakord për detajet e marrëveshjes. Prej situatës së krijuar, kuqeziu mori menjëherë avionin drejt Bolonjës, ndërsa është fare pranë mbylljes së akordit me Virtus Entellan. Edhe pse merkatoja në Serinë B është mbyllur, djaloshi nga Istogu mund të përfitojë nga rregulli i transferimit si lojtar i lirë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image