Nga dështimi në dështim, Interi po bëhet komik

0

Për të tetën ndeshje rresht, skuadra zikaltër nuk arrin të fitojë, ndërsa mbrëmë i mori pikë në San Siro edhe Krotone, ndër ekipet më të dobët në Serinë A

Tetë ndeshje pa fitore, seri negative nga ato që Interi rrallë i ka parë në historinë e vet. Vetëm 5 herë në histori ka bërë vaki që zikaltrit të kenë humbur kaq keq rrugën për të arritur te fitoret. Meritë të madhe ka Krotone, natyrisht, me Valter Zengën në drejtim, një “ish”, që mori duartrokitjet e San Siros. Bravo kalabrezët, guximtarë, të rinj dhe me shumë dëshirë, krejt ndryshe nga një Inter i ngadaltë, i lodhur sikur të ishte fundi i sezonit, i demoralizuar sikur të ishte në vendin e fundit. Me sa duket, tashmë pakkush beson te projekti dhe Luçiano Spaleti nuk mund të ndryshojë asgjë.

Pa Ikardin, vetëm një gol

Në mungesë të kapitenit Mauro Ikardi, luajti Eder, me Brozoviç në mesin e fushës në vend të Galiardinit dhe me Borha Valero e Vesino në ndërtimin e lojës. Fillimi ishte i Interit dhe dukej mbrëmja e duhur për të marrë fitoren e parë të vitit, pasi fundja përballë nuk ishte Juventusi. Kur Eder shënoi me kokë në minutën e 23-të, thuajse pa dashje, sepse topi u devijua nga një mbrojtës, u duk se Interi mori fluturimin. Janari i mallkuar iku, shkurti dukej ndryshe. Ishte vetëm një iluzion, sepse Krotone nuk ndryshoi asgjë në lojën e vet, qëndroi kompakt pas, priti me qetësi dhe Interi ia bëri qejfin, duke mbajtur një ritëm mediokër loje, aq sa çdo pasim kuptohet shumë më parë. Eder pati edhe rast tjetër për të siguruar fitoren, por gaboi, ashtu si lojtarët e tjerë të Interit në ndonjë rast të pastër. Me Ikardin në fushë me siguri do ishte muzikë tjetër.

Barazimi i merituar i Krotones

Në pjesën e dytë pritej që Interi t’i jepte gaz për të shënuar golin e qetësisë, por ndodhi e kundërt.a. Qetësi totale, ritëm breshke dhe Krotone mori zemër, duke nisur të sulmonte në mënyrë intensive, derisa në minutën e 60-tënjë karambol bëri që Barberis ta gjente veten në zonë të vetëm me portierin Handanoviç dhe nuk mund të falte. 1-1, gjithçka nga e para dhe më i miri në vazhdim për Interin ishte pikërisht portieri zikaltër.  Asnjë krismë nga Interi, i lodhur dhe pa energji mendore, me Krotonen që mori një pikë të artë, por duke e riparo pjesën e dytë, kushedi çfarë ka menduar Zenga, mund edhe të fitonte.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.