Nga Bonuçi te Çalhanoglu, besnikëri kuqezi edhe pa Europën!

Leonardo Bonuçi, kapiteni i Milanit, nuk ka ndër mend që të largohet nga kuqezinjtë. Edhe nëse në vendimin e Dhomës së Gjykimit të UEFA-s do të rikonfirmohet përjashtimi nga Kupat e Europës (Milani ka fituar në fushë të drejtën për të marrë pjesë në grupet e Europa League), kapiteni i Italisë, i ardhur nga Juventusi vetëm një vit më parë dhe që ka kushtuar 40 milionë euro (përfiton rreth 7 milionë euro në sezon), sipas asaj që shkruan “Il Giornale”, i ka konfirmuar agjentit Luçi dhe sidomos klubit se nuk ka ndër mend që të “arratiset” edhe pse ofertat për të nuk mungojnë, ashtu sikurse edhe interesimet “big”.

Bonuçi beson te projekti i ri dhe sidomos është i bindur se sezoni tjetër do të jetë tepër i rëndësishëm, ku Milani, me dy apo tre fuqizime të rëndësishme, mund të thotë fjalën e tij sa i përket garës për Champions League.
Jo vetëm Bonuçi, por edhe Çalhanoglu, që ka magjepsur në fazën e dytë, edhe pse është kthyer objekt dëshirash për disa skuadra, Premier, por edhe Bundesligë, nuk ka ndër mend të lëvizë, vetëm nëse vjen një ofertë e çmendur prej 50 milionë eurosh që do të diskutohet. Sakaq, Musakio mund të kthehet të Vilareali, pasi nuk ka gjetur hapësira dhe është rezervë në hierarkinë e Gatuzos. Edhe pse, trajneri i ka thënë se do të donte që ai të qëndronte, ashtu sikurse edhe Zapata, i lumtur në Milanelo dhe gai të rinovojë edhe për 1 tjetër sezon.

Bonaventura – Ndryshe paraqitet situata e Bonaventurës. Në fakt, mesfushori i Milanit pret ende të njohë dëshirën e Susos, që në anën tjetër duhet të dijë se çfarë do të bëjë UEFA me kuqezinjtë, sepse nëse konfirmohet përjashtimi nga Europa, atëherë ai do të pranojë ofertën e Atletiko Madridit, që nuk ka nevojë të negociojë me Milanin, pasi duhet thjesht të paguajë klauzolën 38 milionë euro. Në atë pikë, Mirabeli dhe Fasone kanë gati emrin, që korispondon me atë të Kajehonit të Napolit, që gjithashtu ka një klauzolë shumë më të ulët, shkak edhe mosha. Me vetëm 20 mln euro, spanjolli mund të vishet kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *