Neymar apo Lautaro Martinez? Prestigjozja spanjolle: Barcelona mund të mbështet edhe te Rei Manaj

Kjo periudhë e pushimit të gjatë për shkak të Koronavirusit dukej se do të ndikonte dyfish negativisht për Rei Manajn. Përveç stresit dhe terrorit të përjetuar në Spanjë gjatë këtyre kohëve, ashtu si të gjithë të tjerët, u mendua se Manajt do i fluturonte mundësia për debutimin e shumëpritur te katalanasit.

Kjo pasi ky pushim ishte mundësia fantastike e Luis Suarezit për t’u rikthyer dhe për të mos humbur më asnjë ndeshje për shkakun e dëmtimit. Ndërkohë nga ana tjetër, Braithëate që erdhi si përforcim i ri dhe emergjent, pritet që të shitet me hapjen e merkatos.

Ndërkohë prestigjozja “Mundo Deportivo” shkruan një artikull që i jep shumë energji pozitive Manajt. Sipas saj, ekonomia e Barcelonës po goditet shumë, ashtu si edhe te klubet e tjera. Rroga të mëdha për t’u mbyllur, megjithëse kanë një ulje të ndjeshme në këto kohë, por kjo sjellë edhe një reduktim për listën e merkatos së verës.

Tani diskutimi për Nejmar dhe Martinez që të blihen në merkato, është vërtet shumë i vështirë. Çmimi i këtyre lojtarëve nuk mund të ulet kurrsesi, pavarësisht krizës, ndërsa të ardhurat nuk ekzistojnë në këtë periudhë.

Media spanjolle bën një listë se ku mund të mbështet Barcelona, nga porta e deri te sulmi. E kur ndalet te kjo e fundit, “Mundo Deportivo” shkruan: “Nëse evoluon në mënyrë të mirë, Rei Manaj mund të ketë një mundësi për të luajtur te Barcelona, përveç Collados që vlerësohet gjithashtu si një sulmues. Duke përfshirë këtu edhe Ansu Fatin, nuk ka zgjidhje të tjera”. Sipas kësaj media, Barcelona do t’i besojë më shumë akademisë në këtë periudhë krize, ndërsa klauzola e Manajt mbetet 50 milionë euro. /Sport Ekspres/