Nexhipi tregon telefonatën me Gjicin: Dha premio për Tiranën, Gavazajn dhe Abazajn erdhën nga stoli

Kukësi ka luajtur ndeshjen më të mirë të kampionatit ndaj Tiranës, në atë fitore me rezultatin 1-3 në transfertë. Por pavarësisht triumfit të arritur, 14 javët e zhvilluara deri tani nuk kanë bindur sa i përket performancës së verilindorëve.

Pikërisht për këtë arsye ka folur edhe drejtori sportiv, Nderim Nexhipi për “Procesi Sportiv”. Arsyen e lidhi me mungesën e aktivizimit të Kristal Abazajt dhe Enis Gavazajt. “Nuk e di se përse ne futemi pak me vonesë në lojë dhe nuk kemi impenjim maksimal që nga minuta e parë. Ne nuk kemi pasur grupin e plotë deri tani dhe kjo ka ndikuar shumë. Gjithashtu edhe dy lojtarët më të mirë që kemi marrë, Gavazaj dhe Abazaj, kanë ardhur nga stolet e ekipeve ku luanin.

Sa i përket atyre që thuhet se te Kukësi nuk marrin rrogat, nuk është e vërtetë. Presdienti Gjici njihet për korrektësi. Mund të ketë pak vonesa, por jo që të mos paguhen lojtarët. Madje po zbuloj edhe një detaj tjetër, që presidenti Gjici më ka marrë në telefon dhe ka dhënë premio për lojtarët ndaj Tiranës”, ka thënë Nexhipi. /Sport Ekspres/